Zbulimi i planit për sulm terrorist në festën e Sulltan Novuzit dhe ndalimi i dy të huajve, që u prezantuan si gazetarë, u pasua me një vendim të qeverisë “Rama”, për dëbimin e ambasadorit të Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia dhe të shefit të Inteligjencës pranë kësaj përfaqësie diplomatike nga Shqipëria. Ata u shpallën “non grata” dhe vendimi u përshëndet aso kohe nga SHBA dhe nga vetë presidenti Donald Trump, përmes një letre të dërguar kryeministrit Rama.
Në atë kohë, vendimi i fortë i kryeministrit Rama është marrë në konsultim të plotë me aleatët ndërkombëtarë. Shkak për këtë vendimmarrje është bërë aktiviteti i tyre në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik në Tiranë.
Zbulimi i sulmit
Ishte një bashkëpunim mes shërbimeve shqiptare dhe atyre izraelite, ai që ka çuar në zbulimin e agjentëve, të cilët kishin planifikuar sulm ditën e Novruzit dhe shkaktimin e një incidenti në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Izraelit, të zhvilluar disa muaj më parë.
Gjatë ndeshjes që ishte planifikuar të zhvillohej në Shkodër, burimet policore informuan se kishte informacione se shtetasi Lavdrim Muhaxheri, në bashkëpunim me disa terroristë të tjerë do të sulmonin me eksploziv kombëtaren izraelite. Në funksion të kësaj çështjeje, në vendin tonë janë arrestuar më shumë se 20 persona.
Reagimi amerikan
Menjëherë pas vendimit të kryeministrit Rama për të dëbuar nga Shqipëria ambasadorin iranian, Gholamhossein Mohammadnia, dhe ndihmësin e tij, reagoi në atë kohë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe ish-këshilltari për Sigurinë i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bolton. Që të dy zyrtarët e lartë amerikanë reaguan nëpërmjet profileve të tyre në rrjetin social “Twitter”.
Përmes postimit në “Twitter”, Pompeo shprehu përgëzimet e vendimin e Kryeministrit Edi Rama, për dëbimin, duke shtuar se bota duhet të qëndrojë e bashkuar ndaj sanksioneve të Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjellje. “Përgëzoj dëbimin nga Kryeministrit Edi Rama të dy agjentëve iranianë që komplotuan sulmet terroriste në Shqipëri. Shtetet europiane kanë penguar tri komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë së bashku për të sanksionuar regjimin e Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjelljen destruktive”, shkruante Pompeo në “Twitter”.