Një i ri shqiptar u vra mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 21:00 para shtëpisë së tij në jug-perëndim të Londrës. Flamur Beqiri ishte me origjinë nga Kosova dhe me nënshtetësi suedeze. Ai u vra para syve të gruas dhe fëmijës së tyre të vogël. Policia britanike vazhdon të apelojë për të marrë informacione pas vrasjes së 36-vjeçarit.
“Hetimi ynë është në fazat e hershme dhe ne jemi ende duke punuar për të përcaktuar se cili mund të jetë motivi që ka çuar në vrasjen e tij në mënyrë të tmerrshme, në prag të Krishtlindjes, para familjes së tij. Ata janë shkatërruar nga kjo ngjarje e tmerrshme dhe janë mbështetur nga oficerë të specializuar. Ne e dimë se viktima po kthehej në shtëpi me gruan dhe fëmijën e tij të vogël, kur u qëllua në oborrin e shtëpisë. Autori iku në këmbë në drejtim të Urës Battersea”, tha një zëdhënës i Scotland Yard.
Policia i kërkoi kujtdo që arriti të shihte autorin që u largua nga vendi i ngjarjes të kontaktojë policinë. Njerëzit që jetojnë pranë vendit të ngjarjes thanë se dëgjuan të shtëna të shoqëruara nga ulërimat e një gruaje që bërtiste “në mënyrë të dëshpëruar” për ndihmë.
“Dëgjova krisma armësh. 8 deri në 10 të shtëna të njëpasnjëshme. Pastaj dëgjova ulërimat e gruas. Unë dola dhe kuptova se ishte një nga fqinjët e mi. Ai ishte shtrirë para derës së tij në një pishinë gjaku. Ai ishte akoma gjallë. Ne me të vërtetë po shpresonim që ai do ta mbijetonte. Ju nuk e keni idenë se sa e dëshpëruar dukej (gruaja e tij)”, tha një fqinjë 60-vjeçare. Një grua e re që e identifikoi veten si infermiere ndihmoi Beqirin dhe ushtroi presion në plagët e tij, por nuk ia doli.