Aktualitet Si u proceduan 11 inspektorët e IKMT? Bizneset, denoncime masive për abuzime

Si u proceduan 11 inspektorët e IKMT? Bizneset, denoncime masive për abuzime

Inspektimet e vazhdueshme, të paautorizuara dhe pa asnjë shkas, detyruan administratoren e këtij hoteli në afërsi të mbikalimit të Qafë Kasharit, të kallëzojë në polici 11 punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Në kallëzimin e saj, administratorja e hotelit u tha oficerëve të policisë se nga ana e inspektorëve i është thënë se ajo po kryen punime të paligjshme, por pavarësisht kësaj ata nuk i kanë vendosur masë administrative.

Në një tjetër rast e kanë kërcënuar me gjobe, duke i thënë se në tabelën që tregon se po kryhen punimet, shkrimi nuk është i dukshëm. Këto veprime, sipas administratores, kanë ngritur dyshime se inspektimet kanë patur si qëllim përfitimin e ryshfetit.

Policia, që nisi ndaj tyre hetimet në gjendje të lire për abuzim me detyrën, zbuloi se nga 11 inspektorë të IKMT që kishin shkuar për kontroll vetëm 4 prej tyre ishin të pajisur me leje të tillë.

Mësohet se veç këtij hoteli, edhe biznese të tjera kanë bërë denoncime të shumta në polici për veprime arbitrare të inspektorëve të IKMT-së, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.

Shumë prej këtyre rasteve kanë përfunduar në gjykatë.

Denoncimet po vijnë vetëm pak kohë pas emërimit në detyrën e kreut të këtij institucioni të Agim Ismailit, i cili zëvendësoi Dallëndyshe Bicin pas emërimit të saj në krye të Kadastrës./Tv Klan