Elsi Levendi ishte personi i cili ruante lëvizjet e Jurgen Kurtit dhe njoftonte anëtarët e tjerë të grupit.
Ishte pikërisht 21-vjeçari personi i parë që ra në gjurmët e policisë, pasi u kap nga kamerat e sigurisë në rrugën “Zef Jubani”, aty ku mbrëmjen e 18 Marsit u ekzekutua për vdekje 26-vjeçari Jurgen Kurti.
Personi që e ka qëlluar me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend, është ende në kërkim. I kërkuari është Klodjan Bane.
Rolet
Tre të arrestuarit kanë pasur role të ndryshme në ekzekutimin e Kurtit, ta ndiqnin atë prej dy javësh, duke i hapur terren ekzekutorit për ta qëlluar poshtë hyrjes së pallatit, teksa 26-vjeçari Kurti po ngjitej për në banesën e tij ku jetonte me nënën.
Kështu, fillimisht autoritetet u vunë në ndjekje të Levendit. Pas krimit, ai u takua me 3 personat e tjerë dhe këta të fundit u vunë gjithashtu në përgjim.
Makina Benz me të cilën autorët e dyshuar u larguan pas krimit, u fiksua gjithashtu në kamerat e sigurisë. Në timonin e saj mësohet se ishte pikërisht personi i katërt i shpallur në kërkim, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur.
Pistoleta TT dhe 2 makinat luksoze u gjetën në shtëpinë e Alesio Berberit. Aktualisht mësohet se autoritetet po përpiqen të zhbllokojnë telefonat e grupit.
Esli Levendi, Alesio Berberi, Olsi Qalliaj dhe personi i shpallur në kërkim dyshohet se janë paguar për të kryer atentatin ndaj Kurtit.
Porositësit mbeten ende enigmë.