Grupet e punës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, në kuadër të projektit të Bankës Botërore, kanë përfunduar ndërhyrjet rehabilituese në katër rrethrrotullimet përgjatë segmentit rrugor Rrogozhinë – Lushnje, duke shtuar më tepër sigurinë rrugore për të gjithë përdoruesit e këtij aksi.
Ndërhyrjet rehabilituese, prekën katër rrethrrotullimet, përkatësisht atë të Çermës, Gërmenjit, Plugut dhe Savërit. Në të katër këto pikat u realizua riveshja me tapet asfaltik, sistemi i ndriçimit, instalimi dhe riparimi i guardrailave, delineatorëve dhe reflektorëve.
Segmenti rrugor Rrogozhinë – Lushnje, pjesë e rëndësishme e aksit që të çon në Jug të vendit është një ndër akset ku ka një qarkullim të dendur të automjeteve si dhe kryqëzime me rrugët dytësore që e lidhin atë me zonat e banuara.
Ndërhyrja në këto katër rrethrrotullimet rrit elementët e sigurisë në këtë aks duke ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës kryesisht gjatë orëve të natës.
Muajt e fundit, bazuar në projektin e Bankës Botërore “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në rezultate”, ARRSH ka kryer ndërhyrje rehabilituese në disa akse me lëvizshmëri të lartë, si në aksin Tiranë-Ndroq-Plepa, në segmenti që kalon përmes Qafës së Llogarasë, apo segmentit rrugor për në Qafë Thanë. Në ditët e ardhshme do të ndërhyhet edhe në akse të tjera, të cilat kanë një frekuentim të lartë nga qytetarët, më qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore.