Nga Erion Kristo
Nëse qeveritarët do të pyesnin, sa e ndryshme do ishte bota! Do jetonim më mirë, do ishim më të qetë. Por kjo nuk ndodh, ndaj nuk jemi të qetë. Ata në fillim e bëjnë fakt të kryer diçka, pastaj reagojnë nëse ka reagim, ose e shtyjnë më thellë këmbën në fytin tonë, nëse nuk bëzajmë. Në këtë mes, të dyja palët janë gabim: edhe populli që nuk reagon, edhe pushtetari që nuk pyet për askënd. Kjo ndodh në shumë aspekte të jetës sonë, madje ka ndodhur dhe do ndodhë. E gjitha kjo vjen se pushtetari është i shkëputur nga hallet e popullit. Pushtetari ka hallet e veta, që nuk kanë gjithmonë të bëjnë me hallet e popullit. Sot do të trajtojmë dy çështje që lidhen me arsimin: mesataret dhe shkolla me kohë të pjesshme.
Duhet thënë shprehimisht se çështjet e arsimit i kapërcejnë detyrimet e një qeverie, sepse ato duke u shtrirë në kohë bëhen një barrë e rëndë për t’u mbajtur nga një qeveri e vetme, sado iluministe të jetë ajo. Çështjet e arsimit kërkojnë konsensusin më të madh të mundshëm, sepse gjithçka mund të pranohet, por propagandë dhe ideologji me miturakët tanë, kurrë. Gjithsesi, te ne ka ndodhur shpesh që vendimet e një qeverie të zhbëhen nga një qeveri tjetër. Kjo tregon pikërisht dritëshkurtësi, sado mençuri të jetë përdorur në vendimmarrje. Madje, fakti që ne nuk gjejmë rehat asnjë vit të jetës sonë arsimore, për shkak të ndryshimeve të shpejta të sistemit, tregon sërish dritëshkurtësi. Ndërsa duhet krejt e kundërta. Për arsimin duhet një pakt kombëtar, madje mbarëkombëtar. Dhe këto nuk janë thjesht parulla, por dhimbje reale. Në mes të muajit maj, Qeveria mori një vendim për të përcaktuar mesataren minimale të pranimit në universitete: ajo u caktua 6.5 për studentët dhe 7.5 për mësuesinë, nga 6 dhe 7 që ishin një vit më parë. Pati shumë reagim për këtë masë, që duhet thënë qysh në krye të herës se është një masë brenda kritereve ligjore. Gjithsesi ligji është i paplotë, afate nuk përcaktohen dhe është detyrim i akteve nënligjore ta plotësojnë ligjin.
Kjo masë nuk është brenda kritereve logjike. Nxitimi në çështjet arsimore dhe vendimmarrja me shpatën e Damokleut, mund të çojnë në gabime. Mjafton të shohim vitet e fundit të pranimeve në universitete. Kanë qenë një masakër e panevojshme. Ju pushtetarë i keni bërë fëmijët tanë për të qarë, madje dhe haptazi nëpër sheshe. Ju pushtetarë keni bërë që një kompjuter i moduluar gabim të përcaktojë fatet e fëmijëve. Ju pushtetarë keni bërë dhe manipulime të çuditshme nëpër rrjete, ku nxënësit e mirë nuk kanë marrë “meritën” dhe nxënësit e dobët e kanë përlarë “meritën”. Dhe mbi të gjitha, ju nuk e keni pranuar gabimin, gabimin e shtrembërimit të jetëve njerëzore, as e keni korrigjuar menjëherë. Ju keni ngritur një sistem pranimi nëpër universitete, a thua se njerëzit do të pranohen në NASA. Vetëm para pak ditësh, një mësuese kishte hedhur gabim të dhënat e nxënësve në rrjet, dhe ata mbetën pa marrë shkollimin që dëshironin. Lotët e tyre kush i shpaguan? Po këtu te ne, gabimi luan rolin kryesor në jetën e njeriut. E thënë thatë: shtrembërim jete, devijim programi, sakatim ëndrrash. Natyrisht, për të mos u dukur si refraktarë, duhet të pohojmë se disa vendimmarrje arsimore kanë qenë të mira. Mbyllja e universiteteve diplomore, përgatitja e librave shkencorë me ardhje ndërkombëtare, ngritja e shkollave të reja, mëshimi i arsimit profesional etj. etj. Pra, nuk po nisemi në qasjen tonë me idenë e zhbërjes, por me idenë e më së mirës.
Le të marrim atë gjëmën e papritur për ndryshimin e mesatares, pikërisht në çastin kur askush nuk mund të bëjë më asgjë për ta përmirësuar atë. Kjo ishte si një thikë pas shpine për nxënësit. Diçka e papritur, një rrufe në qiell të hapur. Një tradhti. Është një kriter artificial, një artificë, diçka jo e natyrshme, diçka që të pengon pa u nisur. Jo se jemi kundër kritereve, jo se jemi kundër dëshirës së mirë për të sjellë më tepër cilësi, madje jemi duartrokitës. Por këto gjëra duhet të ndodhin qysh pa dalë dielli, jo kur dielli po perëndon dhe ka rënë muzgu.
Kriteri i mesatares është një kriter paksa i dyshimtë. Ai do të kishte peshë nëse do të kishte ponderim dhe rankim shkollash, nëse do të dihej që nota dhjetë në mes të Tiranës ka të njëjtën peshë si nota dhjetë në Bulqizë. Nga ana tjetër, a nuk duhet inkurajuar edhe Bulqiza? A kanë të drejtë fëmijët e Pishkashit p.sh. të shkollohen ashtu sikundër petroninsat? Që do të thotë, edhe nëse nota nuk ka të njëjtën peshë, përsëri zhvillimi i rajoneve të ndryshme të vendit kërkon që edhe aty të ketë dije, dhe dijet nuk rrinë në ajër, por barten nga personi i ditur. Ky kriter ka edhe një problem tjetër që ka të bëjë me korrupsionin. Nëse vendos një kriter, ai kriter mund të anashkalohet. Mjafton të kujtojmë vendimmarrjen e para ca viteve të qeverisë së mëparshme demokratike kur u kërkua që diturakët të bënin konferenca shkencore: u shpikën konferenca, u shpikën revista, u shpikën tituj. Kriteret duhen, por të mos harrojmë se ne më shpejt i gjejmë anën kriterit se sa e kuptojmë atë në thellësinë e vet. Pra, këto kritere të caktuara apriori, pa studime, pa bisedime, pa thellime, cenojnë të drejtat e njeriut. Fakti që nxënësit e kanë çuar tek Avokati i Popullit këtë vendimmarrje, tregon shumë, tregon thyerje.
Ky kriter prek edhe talentet në fushën e sportit dhe të artit. Nuk mund t’i thuash Ronaldos e ke mesataren 6 prandaj do të të lë pa shkollë. Por ka dhe më shumë se sa kaq. Nxënësit, për shkak të problemeve familjare apo të rritjes, shpesh nuk përqendrohen në studime, duke mos treguar interes për shkollën e mesme. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë interes të studiojnë diçka që u pëlqen më shumë, si dëshirë personale. Njeriu jep më shumë kur mëson mbi atë gjë që ka qejf. Një nxënës mediokër mund të bëhet një student i mirë, dhe ne nuk e kemi luksin të thyejmë në mes dëshirat e brezit të ri. Nëse vendimmarrja cenon të drejta, ajo nuk është vendimmarrje e drejtë. Për të mos thënë dhe atë më të egrën, që nuk është e pasaktë, por se është goxha e vrazhdë: kjo masë do të bëjë që shumë të rinj të largohen nga vendi. Ne mendojmë se kështu mund të nxitim arsimin profesional, por mund të ndodhë dhe e kundërta. Nxënësit do të shkojnë diku tjetër për të studiuar. Pra, është thikë me dy presa. Gjithashtu, ndjesitë për arsimin nuk duhet të lindin e të zhvillohen në një kokë të vetme. Nuk ka asnjë lloj garancie se kjo kokë është koka e duhur. Prandaj, arsimimi është si ato pjesët për piano me katër duar. Me një të rënë të sëpatës nuk zgjidhet asgjë. Thjesht i ndërrojmë vendin iluzionit, e bëjmë më të padukshëm, por nuk e asgjësojmë. Këto i sjell vendimmarrja pa studime e pa analiza. Si mund të funksionojmë në vitin 2019 pa një analizë të thelluar statistikore? Nëse dija nuk na hyn në punë as në arsim, për çfarë duhet? Më e bukura nga të gjitha është që përfaqësues të ministrisë, njerëz të mykur e pa vizion, thonë me plot gojën që nga kjo masë preken vetëm pak studentë. Me një fjalë, ata e dinë që dikush do të cenohet nga kjo gjë dhe vazhdojnë me kokëfortësi në qëndrimin e tyre arrogant. Kjo nuk është gjë. Më e bukura është që thuhet se do rritet përsëri. Domethënë, unë jam një gjimnazist poet. Nuk më pëlqen matematika, as shkolla, jam shpirt i lirë, kam vramendjen time. Jam i shkëlqyer në letërsi, por nuk jam gjë në fizkulturë, apo në gjuhë të huaja. Po të mbledhësh notat e ulëta dhe atë të lartën e letërsisë, më del mesatarja 7.45. Pra, unë nuk jam nxënës i keq, përkundrazi jam gjenuin, por thjesht nuk kam qenë i zoti në fizikë apo kimi, më janë dukur si hieroglife. Mendja ime ka fluturuar në kodra e pyje. Unë nuk kam të drejtë të studioj për letërsi se kështu mendon zyrtarja e ministrisë. Kështu mendonin dhe zyrtarët e mykur të diktaturës, që nuk i lejonin fëmijët të studionin se kishin cene në biografi. Mediokrit sundojnë jetën tonë, madje e cenojnë jetën tonë. Dua të dalë dikush dhe të më shpjegojë shkencërisht se cila është diferenca mes 7 dhe 7.5. A është një hop cilësor? Apo është ngushtësisht mekanike? Mua më duket e paarsyetuar. Fshihuni sa të doni pas gishtit, ju jeni fajtorë. Doni të vini vetulla, por po u nxirrni sytë fëmijëve. Janë dhjetëra sportistë që nuk mund të kenë një shkollim të lartë sportiv, sepse kështu i teket dikujt. Dhe ky është fakt real, jo sajim propagandistik.
Gjithashtu, ne si popullatë kemi numrin më të ulët të të arsimuarve me shkollë të lartë në Evropë, gati 2 apo 3 herë më pak se sa mesatarja. Kurse për numrin e njerëzve të specializuar jemi edhe më keq. Pothuaj gjysma e forcës punëtore është me arsim 9-vjeçar. Këto statistika duhet të na shqetësojnë. Nëse më parë u teprua me arsimimin e lartë, tani jemi në mungesë. Pra, jemi hedhur nga një cak në tjetrin, pa gjetur mesataren e artë.
Rritja nga viti në vit me 0.5 e mesatares, a është shoqëruar me rritje cilësore të arsimit në të njëjtën masë? Shikoni dhe aspektin social dhe të të drejtave të njeriut. Mos i shikoni njerëzit si numra. Mos harroni ku jetojmë. Mos krijoni pabarazi. Përse të mos shqetësohemi realisht që pothuaj gjysma e fëmijëve nuk vazhdojnë shkollën e mesme? Përse të mos shqetësohemi që ikin mbi 10 mijë studentë në vit për studime jashtë vendit? Cili është vizioni ynë kombëtar për arsimin? Arsimi është vektori më i fuqishëm që mund ta çojë vendin tonë përpara. Normalisht duhet që kriteret t’i vendosin universitetet, jo qeverisja. Përse mungon konsultimi? Përse nuk respektohet konsultimi, atëherë kur bëhet? Cilat janë politikat nxitëse, sepse ka vetëm politika dekurajuese? Përgjigjja është e thjeshtë: shteti imponon, dikton.
Një problem tjetër madhor është dhe pezullimi i studimeve part time, pra studimet me kohë të pjesshme. Edhe ky është një abuzim. Dëshira për t’i prerë problemet me sëpatë. Problemet zgjidhen me mendje. Përse na hiqet kjo e drejtë? Dua të studioj gjatë gjithë jetës, të dijesohem. Përse më pengoni në rrugën time drejt dijes? E mbyllët, po përse nuk e hapët sërish? E hapur ishte keq, e mbyllur edhe më keq. Kjo tregon mungesë vullneti. Nuk është keq që qeveria po merret me rritjen e cilësisë, por ka një problem: unë kam të drejtë të arsimohem kur të dua. Këto masa po pengojnë arsimimin tim gjatë gjithë jetës, çka është shkelje e pastër. Problemet e arsimit nuk janë thjesht çështje ligjore, por kanë të bëjnë me vizionin e një shoqërie dhe seriozitetin e elitave të veta. Shteti dhe ligji është në funksion të qytetarit dhe jo e kundërta. Sikur të dëgjonit përpara se të vepronit, do bënit mirë për të gjithë./Mapo