Pas miratimit të rezolutës ku u dënua “Foltorja” e Sali Berishës, e cilësuar si “një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale”, Këshilli Kombëtar i PD ka bërë një hap të mëtejshëm.
I mbledhur sot nga lideri Lulzim Basha, Këshilli Kombëtar i PD ka vendosur për votim të fshehtë mbi propozimin e shkarkimit të anëtarëve të kryesisë që shkelën vendimin e kryesisë dhe organizuan atë që cilësohet një strukturë paralele, e kulmuar në Kuvendin e djeshëm.
Termi shkarkim nuk nënkupton edhe përjashtim nga partia, sipas Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi. “Sot nuk merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim nga funksionet. Disa anëtarë të kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e kryesisë së Partisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar”.
Sipas tij, “rebelët janë angazhuar për ngritjen e strukturave paralele për te zëvendësuar institucionet e ligjshme statutore të PD. Për ta nuk ka më kryetar partie, nuk ka sekretar të përgjithshëm, nuk ka nënkryetarë, nuk ka kryesi, nuk ka Këshill Kombëtar, përveç kjo trupë që sillet si cëlulë ilegale që kërkon t’i mbivendoset institucioneve legjitime të partisë. Për këtë arsye, ata mund të bëjnë çfarë të duan jashtë institucioneve të partisë, por nuk mund të veprojnë si anëtarë të kryesisë qendrore të PD”.
Vendimin për shkarkim dhe jo përjashtim Bardhi e justifikon me faktin që “për të mos i fryrë përçarjes”.
Propozimi për shkarkim përfshin anëtarët e kryesisë Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, sekretarët Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia si dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.