Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, doli sot në një konferencë shtypi, ku foli për listën e zgjedhur prej tij për dy ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, si dhe për atë çfarë pret nga skuadra në këto kualifikuese.
Braziliani i stolit kuqezi theksoi mes të tjerash se stafi teknik e njeh më mirë grupin e lojtarëve. Ai ka pohuar me bindje se do të debutojë me fitore para tifozëve shqiptarë më 17 qershor ndaj Moldavisë.
“Është një moment delikat, të jemi të ndershëm, sepse është fundi i sezonit. Ne duhet të jemi të aftë të administrojmë grupin e lojtarëve që kemi, në mënyrë që ata që zbresin në fushë, të jemi në 100% të formës së tyre. E vërteta është se i njohim më mirë lojtarët që kemi, sepse kanë kaluar 4 muaj tashmë.
Jam i kënaqur, sepse kemi një grup lojtarësh të rinj dhe mund të bëjmë mirë. Gjasula është dëmtuar dhe kemi 26 lojtarë të gatshëm. A mund të fitojmë dy ndeshjet e radhës? Nëse luajmë mirë, kemi shanse më të mëdha për të fituar, për të marrë pikët maksimale. Rezultatin nuk e kontrollon dot, por besoj se do të marrim 6 pikë në këto 2 ndeshje. Tani mendojmë vetëm për Moldavinë, por rruga është e gjatë dhe duhen grumbulluar pikët e nevojshme.
Mendoj dhe besoj se do të ecim mirë. Kam bindjen se më 17 qershor, në debutimin tonë para tifozëve tanë, do të fitojmë. Tifozët do të na mbështesin për të marrë fitoren.
Muçi është një lojtar trekuartist, që e sulmon hapësirën dhe jep pasime filtruese. Sadiku rikthehet në kombëtare, është një sulmues i rrezikshëm në zonë, që shënon dhe na nevojitet”, – theksoi Silvinjo.