Politika Balla–Berishës: Humbe në Tropojë, konsideroje si fundin e karrierës tënde në politikë

Balla–Berishës: Humbe në Tropojë, konsideroje si fundin e karrierës tënde në politikë

Sali Berisha pretendoi nga salla e parlamentit se 547 mijë zgjedhës votuan dy herë për PS në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Kësaj akuze iu përgjigj kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha se me këtë llogaritje del që për opozitën të kenë votuar më pak 300 mijë persona.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se Sali Berisha ka humbur në Tropojë, në vendlindjen e tij, e për këtë arsye duhet të konsiderojë largimin nga politika.

“U shpreh se ka 547 mijë zgjedhës në gjithë Shqipërinë që paskan votuar 2 herë dhe sipas tij i bie që këta 547 mijë zgjedhës që kanë votuar për kandidatë e shumicës, të kenë votuar dy herë siç tha ai, që i bie nga 1,395,000 vota që janë numëruar, që kanë marrë pjesë, opozita të ketë marrë më pak se 300 mijë. Tani ose ta ka lënë Luli këtë problem llogarish në matematikë, por gjëja që i vuri qershinë mbi tortë kësaj shprehje kuptimplotë të disfatës, fakti që nuk përmendi Tropojën është gjëja më e bukur. Pra, rezulton që Sali Berisha e ka pranuar humbjen në Tropojë se nuk e përmendi Tropojën si një prej rasteve të bashkive ku të ketë pasur një problem si ky. Dhe Sali, humbjen e Tropojës do ta konsideroj si humbjen tënde personale. Unë po ta them troç, edhe pse nuk jam më aty, nëse një rezultat të tillë do ta kisha në Librazhd, nuk do vija më në këtë sallë. Bën mirë dhe ti që humbjen e Tropojës ta konsiderosh si përfundimin tënd të karrierës tënde në politikë, të lëshosh mandatin e të ikësh njëherë e përgjithmonë edhe nga kjo sallë sepse në fund të fundit, kemi një shprehje të gjithë, kur s’të voton fshati jot ç’të të votojnë më të tjerët”, tha Taulant Balla.