Nga Antarktida vijnë sinjale alarmante për ngrohjen globale. Sipas shkencëtarëve, këtë javë termometri në kontinentin e akullt të Polit të Jugut shënoi temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, 18.3 gradë Celsius.
“Nuk është një shifër normale dhe nuk ka lidhje as me periudhën e vetës në Antarktidë. Kjo thyen rekordin e mëparshëm prej 17.5 gradë Celsius të shënuar në 2015-ën”, tha Clare Nullis, zëdhënëse e Organizatës Botërore Meteorologjike.
Shtimi me 0.8 gradë i rekordit të temperaturës së lartë për këtë kontinent ngre shqetësimin e shkrirjes me ritme të shpejta të akujve. Kështu kontinenti nuk do të jetë më krejtësisht i bardhë kur të shihet nga sateliti, por me copëza të mëdha akulli që tkurren nga viti në vit.
Kjo sipas shkencëtarëve, do ta ngrejë nivelin e detit me tre metra brenda pak shekujve, duke përmbytur shumë metropole të botës, si Nju Jorku, San Francisko, Tokio, e shumë e shumë qytete të tjerë bregdetarë.
I njëjti fenomen ndodh edhe në Polin e Veriut, ku masivi i akullit po zvogëlohet dhe ku Korrikun e vitit të kaluar, u shënua një rekord temperature prej 21 gradësh.