Ndonëse, Bashkimi Evropian ka hapur kufijtë me Serbinë për shkak të situatës jo të rëndë me COVID-19, vetë qyteti i Beogradit duket se ndodhet në një situatë tjetër nga panorama e përgjithshme në vend.
Për këtë arsye, Presidenti Aleksandër Vuçiç pritet të marrë masa të ashpra që mund të shkojnë deri në izolimin e kryeqytetit. Rekomandimi është bërë nga grupi për menaxhimin e krizës, ndërsa Vuçiç pritet të shprehet sonte në mbrëmje.
Situata epidemiologjike në Beograd nuk është aspak favorizuese pasi nga të dhënat rezulton se, nga testimet e 24 orëve të fundit, më shumë se 80% e të infektuarve janë nga Beogradi.
Vendimi përfundimtar i Vuçiç pritet të bëhet të enjten në mbrëmje pas takimit me ekipin për menaxhimin e krizës, ku priten të merren masa rigoroze për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit në kryeqytetin serb.
Në konsideratë po merret rivendosja e orarit të mbylljes në mbrëmje ose mbyllja totale e Beogradit, që do të thotë se nuk do të lejohet dalja apo hyrja e qytetarëve në kryeqytet.
Në 24 orët e fundit në Serbi janë zbuluar 272 raste të reja me COVID-19 nga testimi i mbi 8 mijë personave. Në të gjithë vendin aktualisht janë 1 783 raste aktive ndërsa 73 persona janë në respirator. Në total, deri tani Serbia ka pasur 14 836 raste me koronavirus, ndërsa numri i vdekjeve është 281 persona.