Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi sot ndaj deklaratës së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, sipas së cilës, qeveria “po mundohet të fshehë dështimin në hetimin epidemiologjik dhe në testimin e qytetarëve, në përballimin e krizës shëndetësore dhe ekonomike”.
Sipas Ademit, as për sa i përket testimit e as hetimit epidemiologjik, e as sistemit shëndetësor, bashkitë nuk kanë asgjë në dorë.
Ministri i Brendshëm në reagim të këtyre deklaratave, u shpreh se situata në Shkodër është ulëritëse dhe qytetarët shkodranë janë frikshëm të ekspozuar ndaj rrezikut të epidemisë.
“Kryebashkiakja e Shkodrës e lexoi jo pa vështirësi një deklaratë të panevojshme, për të shitur si politike, paaftësinë e saj për të bërë disa detyra bazike në shërbim të qytetarëve të saj. Shkodra sot nuk ka nevojë për politikë, por për pastërti dhe qytetari nga të gjithë”, tha ministri Lleshaj.
“Pazaret skandaloze, që ngjajnë me ato të Kandaharit, nuk i bëjnë as nder dhe as dobi kryeqendrës sonë të Veriut. Eliminimi i tyre kërkon vetëm pak vullnet, por në radhë të parë sy për të parë”, theksoi Lleshaj.
“Edhe pse pa mandat, kryetarja e harruar në zyrë duhet të justifikojë të paktën pagën që megjithatë merr. Situata në Shkodër është ulëritëse dhe qytetarët shkodranë janë frikshëm të ekspozuar ndaj rrezikut të epidemisë”, nënvizoi Lleshaj.
“Zonja Ademi të dalë dhe të heqë lakrat, barishtet e plehrat gjithfarë që kanë zënë rrugët e trotuaret. COVID-19 është sfida e përbashkët dhe rrugët e këtij armiku të padukshëm duhet të bllokohen edhe në Shkodër, ku dorëzimi i papranueshëm i pushtetit vendor duket alarmant! Ne duam bashkëpunim dhe bashkëveprim”, u shpreh Lleshaj.
“Ju lutem, zonja Ademi, mos humbni kohë me llafazanërira politike, por bëni punën tuaj dhe na thoni si mund t’ju ndihmojmë më shumë!”, përfundoi ministri Lleshaj.
Shkodra ka pasur ditët e fundit rritje të shpejtë të rasteve me COVID-19, gjë që sipas ekspertëve të shëndetit publik reflekton mosrespektimin e masave kufizuese të distancimit social.