Një ditë pas tërmetit 5.8 ballë i cili tronditi Shqipërinë këtë të shtunë, përgjegjësi i Departamentit të Sizmiologjisë, Rexhep Koçi, në një intervistë për RTV Ora u shpreh se megjithëse nuk mund të kemi një parashikim të saktë, situata në vijim pritet të jetë më e qetë, pasi edhe intensiteti i lëkundjeve ka ardhur duke u ulur.
Koçi: Situata sizmologjike e shfaqur pas ngjarjes kryesore të ndodhur dje në orën 16:04 ka ardhur gjithmonë duke u përmirësuar sa i përket rrezikut të aktivitetit sizmik. Ngjarjet e regjistruara pas ngjarjes kryesore kanë qenë të një magnitude shumë herë më të vogël se ajo e djeshmja, përjashto rreth katër ngjarje që kanë kaluar magnitudën 4 ballë.
Bëhet me dije se gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit janë shënuar rreth 300 lëkundje të tjera të lehta.
Koçi: 90% e ngjarjeve të regjistruara deri më tani që janë rreth 350, e kanë magnitudën nën 3. Vërehet një tendencë e shuarjes së aktivitetit sizmik.
Sizmiologët thonë se aktualisht nuk ka vend për panik, megjithatë kërkohet vëmendja e shtuar e institucioneve përkatëse.