Tërmeti i së martës me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter që goditi vendin tonë, dy muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, tregon se ka ende energji të akumuluar në zonë.
Sipas sizmologut Rrapo Ormëni, pas 40 vitesh qetësi, tashmë vendi ynë ka hyrë në një periudhë me aktivitet të ngjeshur sizmik, e cila zgjat disa vite. Tërmeti 4.9 i shkallës Rihter, me epiqendër 3 kilometra larg fshatit Bubq, shkaktoi jo pak frikë tek qytetarët, të cilët qëndruan për disa orë jashtë banesave të tyre.
Ndërsa sizmologu Rexhep Koçi tha: “Aktiviteti sizmik nuk ka dalë nga ecuria e 26 nëntorit. Nuk është në madhësinë e ngjarjeve me impakt të madh në struktura dhe ndjeshmëri, nëse do krahasojmë ngjarjen e djeshme me 26 nëntorin pra nga magnituda 6.3 në 4.9;. Kjo periudhë që do gjenerojë tërmete, do ketë dhe raste që do të ketë ndonjëherë një devijim nga trendi i rënies, por grafiku është gjithmonë në rënie përsa i përket numrit të ngjarjeve sizmike dhe madhësisë ose magnitudës. Tani këto ditët e fundit kemi pasur 3, 4 deri në 5 ngjarje me përjashtim të thjesht meqë pati një riaktivizim të zonës që gjeneroi tërmetin me magnitudë 4.9 dhe deri në këto momente kemi regjistruar rreth 15 ngjarje të tjera, me përjashtim të ngjarjes së orës 21:17, të gjitha të tjerat kanë qenë nën magnitudën 3.1… ”
Situata sizmike në vendin tonë nuk ka shteruar, por sipas sizmologëve nuk ka rrezik sepse numri dhe magnituda e lëvizjeve do të jetë gjithnjë në rënie.
“Periudha në vijim do të vazhdojë në ngjarje të tjera sizmike në mënyrë sporadike, por në rënie”, tha sizmologu Rexhep Koçi.
Tërmeti i djeshëm ndërkohë riktheu panikun mes qytetarëve, të cilët u frikësohen pasojave të ngjashme me lëkundjen shkatërrimtare të 26 nëntorit.