Gjatë gjysmës së parë të vitit 2019 skadojnë afatet e kartave të identitetit për 1,4 milionë shqiptarë, një shqetësim edhe më i madh në një vit elektoral, me zgjedhjet vendore të llogaritura për t’u zhvilluar më 30 qershor.
Në lidhje me këtë problem ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili përmes një postimi në Facebook i bën thirrje qytetarëve që të informohen për datën e saktë të skadimit
“Pajisja me kartat e identitetit dhe pasaportat e reja është një prioritet i rëndësishëm”, thotë Lleshaj. “Me to lidhet fati i shumë shërbimeve të rëndësishme. Zyrat e Gjendjes Civile janë në dispozicion për të informuar dhe ndihmuar qytetarët”.
Sipas ministrit të Brendshëm, neglizhenca për të kryer detyrimin e pajisjes me dokumentet bazë të identifikimit mund të krijojë probleme për marrjen e shumë shërbimeve të rëndësishme, që nga udhëtimet jashtë vendit e të tjera.
“Institucionet do të kushtëzojnë dhënien e shërbimeve, për personat që janë në muajt e fundit të vlefshmërisë së dokumenteve, me paraqitjen e vërtetimeve mbi aplikimin për dokumentin e ri”, thuhet më tej në postimin e Lleshajt në Facebook.