Varfëria është një fenomen që bashkëjeton me të pashkolluarit. INSTAT gjatë rishikimit të hartës së varfërisë, gjeti se fenomeni në Tiranë i kategorizuar sipas statusit arsimor ishte më e përhapur në personat me arsim fillor (8-9 klasë).
Mbi 48 për qind e të varfërve në Tiranë janë me arsim fillor. Me tej fenomeni është më i përhapur në personat që kanë diplomë gjimnazi, pasi përllogaritjet e INSTAT tregojnë se kjo kategori posedon 15.2 % te të varfërve. Ata që kanë diplomë të arsimit profesional janë më pak të varfër, se ata me arsim të përgjithshëm, pasi zotërojnë një peshë më të vogël, 14.8 % të totalit.
Personat me arsim të lartë janë më pak të varfër. Ata kane peshë vetëm 3 për qind në totalin e të varfërve në Tiranë.
Anketa tregon gjithashtu anën tjetër të medaljes ku shihet se, ma i lartë të jetë niveli arsimor aq më e ulët është varfëria. Në totalin e personave jo të varfër në Tiranë mbi 26 për qind i përkasin atyre me arsim të lartë. Ndërsa arsimi i mesëm i përgjithshëm dhe ai profesional zotërojnë përkatësisht 22.4 % dhe 19.9 për qind të personave jo të varfër. Arsimi fillor zotëron 21 % të personave jo të varfër. Personat më arsim fillor zotërojnë peshat e varfërve dhe jo të varfërve pasi shumica e popullsisë në Tiranë është në këtë kategori arsimi.
Një hendek i madh po zgjerohet vit pas viti ndërmjet sektorëve që dominojnë ekonominë si në PBB-ne dhe në punësim dhe sistemin arsimor në vend.
Sektorët e shërbimeve dhe bujqësisë formuan 66.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2017, ndërsa kontribuuan me 80.6 % të punësimit (42.4 shërbimet dhe 38.2% bujqësia), po të diplomuarit për këto degë zinin vetëm 4.2 për qind të totalit të diplomuarve në vitin 2017.
Gjithnjë e më pak të rinj duan të studiojnë për veteriner, ekspert peshkimi apo agronom, teksa sektori i shërbimeve dhe hotelerisë thuajse mbetet tërësisht i papërfaqësuar në arsimin e lartë publik.
Të diplomuarit në këto degë po bien nga viti në vit duke i çuar disa degë specifikë që lidhen me bujqësinë drejt shuarjes. Në vitin 2013, 6.7 për qind e diplomave në arsimin e lartë ishin për bujqësinë dhe shërbimet, por kjo peshë po bie vit pas viti, teksa po çdo vit e më shumë diplomohen studentë në një treg që tashmë është i mbingarkuar./Monitor