Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar foto të gjendjes mjedisore në zonën e Fllakës. Nga pamjet e postuara në rrjetet sociale shihet se mbeturinat kanë mbuluar një sipërfaqe të madhe. Përmes postimit, Meta shkruan se kjo panoramë është dëshmi e qartë se si “Rilindja” ka braktisur plotësisht qytetarët. Ai shton se abuzimi me fondet publike nuk njeh limite.
Partia e Lirisë akuzon se njësinë administrative Rrashbull të bashkinë Durrës se s’bëjnë pastrimin si dhe nuk vendosin kosha plehrash.
Sipas Partisë së Lirisë, kamionët zbrazin natën mbeturina dhe 120 familje pranë janë të detyruar të përballen me erën e plehrave.
“Situata skandaloze në zonën e Fllakës, mes Durrësit dhe Tiranës. Një tjetër dëshmi e qartë e përçmimit dhe e braktisjes së plotë të qytetarëve nga pushteti vendor i “Rilindjes”. Kapja 100% e bashkive dhe parlamenteve lokale nga Edi Rama, natyrshëm që do të sillte këto rezultate: mungesë llogaridhënie, abuzime me fondet publike, mos dëgjim i zërit dhe i halleve të qytetarëve, braktisje të plotë të tyre deri edhe në falimentim të pushtetit vendor.
Rikthimi i pashmangshëm i opozitës dhe i pluralizmit politik në Bashkitë tona, në aleancë me qytetarët shqiptarë, do të rikthejë llogaridhënien dhe pushtetin lokal në duart dhe në shërbim të tyre”, shkruan Meta.