Një i ri ka humbur jetën gjatë mesnatës në Tiranë pas një sherri. Viktima është 29-vjeçari Jurgen Duka.
I riu u konfliktua me një person tjetër, i cili është ende i paidentifikuar. Sherri ndodhi në rrugën “Irfan Tomini”. Gjatë konfliktit u qëllua me armë në drejtim të 29-vjeçarit.
Jurgen Duka mbeti i plagosur fillimisht, por fatkeqësisht ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Autori i kësaj ngjarje është larguar.
Burime nga grupi hetimor kanë sqaruar edhe dinamikën e krimit. Sipas informacioneve policore, viktima ka qenë i shoqëruar me shokun e tij me iniciale O.D. dhe dyshohet se të dy kanë qenë në gjendje të dehur.
Ata hynë në një market dhe aty patën debat dhe më pas filloi konflikti me autorin, që nuk është identifikuar. Ky i fundit qëlloi me armë Jurgen Dukën duke e lënë të plagosur, i cili ndërroi jetë më pas në spital.
Grupi hetimor i Policisë së Tiranës ka marrë në pyetje shokun e viktimës si dhe po analizon prova të tjera në vendngjarje që mund të çojnë në identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Skeda/ Zbardhet e shkuara kriminale e 29-vjeçarit Jurgen Duka
Jurgen Duka, 29-vjeçari që mbeti i vrarë në Tiranë gjatë mesnatës, ka qenë person me precedent të mëparshëm penal. Ai ka qenë i dënuar për falsifikim të monedhave dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burg.
Ndërkohë, 29-vjeçari ka pasur edhe dënime të tjera për vepra të ndryshme penale. Konkretisht, Jurgen Duka ka qenë i dënuar edhe për heqje të paligjshme të lirisë dhe përndjekje në vitin 2017, për të cilat është dënuar me 4 muaj burg.
Gjithashtu në vitin 2013 ka qenë i proceduar në gjendje të lirë për mashtrim dhe në vitin 2014 për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.