Vajza nga Manza e Durrësit josh me anë të rrjetit social djalin nga fshati Kullë duke i zhvatur mbi 60 milionë lekë në harkun e dy viteve.
Ajo arriti t’i fitojë besimin të riut duke mos i dalë asnjëherë në takim, ndonëse virtualisht kishin rënë dakord të martoheshin.
Pas më shumë se dy vitesh njohje virtuale, 30-vjeçari nga Kulla e Durrësit, Barush Ahmeti, e ka kuptuar lojën e 27-vjeçares dhe e ka denoncuar atë në polici, shkruan Panorama.
Policia bëri me dije se është duke hetuar në lidhje me mashtrimin financiar të bërë nga 27-vjeçarja Enertila Beqja, e arrestuar për mashtrimin prej 60 milionë lekësh të vjetër.
Vajza kishte pikasur që djali ishte mirë nga gjendja ekonomike, pasi vetë ai punonte në një institucion shtetëror në Manëz (Drejtor i Postës) dhe vëllezërit i kishte emigrantë në Itali e Gjermani.
Këtu ajo nisi “sulmin” duke i kërkuar para, bizhu e veshmbathje. I riu është prekur nga hallet e vajzës, e cila i shkruante se familja e saj ishte në gjendje të vështirë ekonomike.
Kështu, altruizmi i tij e kaloi cakun duke i besuar së resë shumën e 60 milionë lekëve, ndonëse ajo gjente mënyra për ta evituar takimin prej më shumë se dy vitesh me të.