Rrugëtimi i gjatë i Inter drejt titullit kampion vazhdon, dhe tani ka nisur të shihet edhe fundi. Dy ndalesa si ajo ndaj Napolit dhe Spezias do të ishin shqetësuese në sprintin final të kampionatit, por zikaltrit e kanë komoditetin për ta për diçka të tillë sepse e kanë krijuar prej javësh një distancë sigurie nga ndjekësit.
10 pikë nga Milan dhe 11 nga Juventus janë mjaftueshëm për të qenë të qetë, megjithatë zikaltrit duhet të ruajnë forcën fizike dhe psikologjike për t’i shkuar punës deri në fund dhe për të kthyer skudeton që mungon prej 11 vitesh, nga koha e Jose Mourinhos.
6 javë nga fundi, Inter nis të mendojë për skenarët e mundshëm që çojnë te titulli. Festa mund të nis prej datës 2 maj, pikërisht pas dy ndeshjeve të ardhshme. Nëse Inter fiton dy sfidat e radhës, Milan nuk merr më shumë se 4 pikë ndaj Lazios e Beneventos dhe Juventus bën të njëjtën gjë ndaj Fiorentinës dhe Udinezes atëherë zikaltrit janë kampionë.
Pa harruar dhe rivalët e Atalantës që janë pak a shumë në të njëjtat pozita në klasifikim. Në këtë rast, Inter do të kurorëzojë me një diferencë të madhe prej 12 pikësh. Por nëse Milan, Juventus dhe Atalanta vazhdojnë të fitojnë javë pas jave, atëherë Inter do të duhet të vazhdojë punën e tij dhe i mjaftojnë 9 pikë për të realizuar objektivin. Titulli për skuadrën e Conte do të festohej në San Siro, më 9 maj në përballjen ndaj Sampdorias.