Te Manchester United janë në kërkim të njeriut të duhur që do të pasojë të shkarkuarin Ole Gunnar Solskjaer. Emra të ndryshëm dalin në skenë, disa hidhen poshtë e të tjerë marrin kuota. Zinedine Zidane, nga ajo që raportojnë mediet angleze, nuk do të shkojë në “Old Trafford”. Sipas BBC, francezi e ka hedhur poshtë opsionin për t’u bashkuar me “Djajtë e Kuq”. Synimi i tij është të presë që të zhbllokohen dy stolat që e tërheqin më shumë,i PSG-së dhe mbi të gjitha i kombëtares franceze.
United tashmë i dinte synimet e Zizou dhe, pavarësisht kësaj, e ka konsideruar gjithmonë atë alternativë të rëndësishme, sidomos për faktin që mund të tërhiqte Kylian Mbappenë drejt këtij klubi.
Tërheqja e Zidane nga gara për stolin e United hap një tjetër opsion, më të qartë për momentin: Mauricio Pochettinon. Trajneri argjentinas është më i predispozuar për t’u larguar nga PSG dhe për t’iu bashkuar United. Sipas Daily Mail, ai nuk ndihet mirë në Paris, sepse qëndron në hotel, ndërsa familja e tij vazhdon të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar. Aq më tepër që ai nuk është i kënaqur me tekat e yjeve, që te PSG janë të shumtë.
Por edhe parizienët nuk janë tepër të kënaqur me Pochettinon, i cili nuk arriti të fitojë Ligue 1 sezonin e kaluar dhe ka lënë disa dyshime edhe në Champions League. Nëse Al Khelaifi vendos të marrë Zidane, atëherë Pochettino s’do të kishte asnjë pengesë për t’iu bashkuar “Djajve të Kuq”.