Është mbyllur me fitoren minimale të kampionëve në fuqi, supersfida e mbrëmjes së të shtunës mes Vllaznisë dhe Skënderbeut e zhvilluar në stadiumin thuajse tërësisht të boshatisur, “Loro Boriçi”, me rezultatin 0-1.
Një ndeshje e vendosur nga Latifi me golin e realizuar në minutën e 68’, pas një gafe të dyfishtë mes mbrojtjes dhe portierit të ekipit shkodran. Falë kësaj fitore, skuadra e Skënderbeut ka marrë të paktën provizorisht kryesimin e klasifikimit të Kategorisë Superiore në Kampionatin Shqiptar, në kuotën e 47 pikëve, një më shumë se skuadra e Kukësit e cila do të diskutojë nesër supersfidën e javës së 23-të ndaj Partizanit, në një përballje direkte për kreun.
Nga ana tjetër, skuadra e Vllaznisë, mbetet në vend të gjashtë, në kuotën e 27 pikëve, po aq sa Tirana e vendit të pestë që të dielën pret skuadrën e Flamurtarit në “Selman Stërmasi”.