Sfida mes Kastriotit dhe Skënderbeut nisi dy orë para kohe, me incidentet e shënuara në hyrje të stadiumit “Redi Maloku”, ku u sulmuan disa futbollistë korçarë, ndërsa në fund përfundoi me festë për skuadrën vendase që arriti të marrë një tjetër 3-pikësh.
Korçarët vinin në këtë takim pas 6 ndeshjesh pa fitore dhe pas 5 humbjesh radhazi, ndaj sot e nisën sfidën të karikuar për të marrë maksimumin, por terreni i rënduar dhe impenjimi maksimal i vendasve, komplikoi jo pak lojën.
Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, teksa më shumë sesa rastet e pastra, u veçuan duelet e forta në mesin e fushës, me dy skuadrat që nuk arritën asnjëherë të kërcënojnë seriozisht kuadratet respektive.
Sfida u zhbllokua në fillim të pjesës së dytë, kur Esin Ymeraj shfrytëzoi maksimalisht një harkim të ardhur nga këndi, për të gjuajtur me kokë dhe për të dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Aldo Teqja.
Goli zgjoi korçarët, që arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 82-të, kur Kristi Vangjeli dërgoi topin në rrjetë pas një rrëmuje në zonën e skuadrës krutane, ndërsa 10 minutat e fundit ishin të hapura dhe mjaft interesante.
Topi kalonte sa në një zonë në tjetrën dhe fillimisht krutanët u ndalën nga traversa, ndërsa më pas korçarët shpërdoruan dy mundësi ta arta për të gjetur golin e avantazhit. Goli i fitores për skuadrën e Kastriotit u shënua në minutat shtesë të sfidës, kur braziliani Roger dribloi 2-3 mbrojtës të Skënderbeut dhe mposhti portierin Teqja.
Përfundimi i takimit la në fuqi fitoren e Kastriotit, që me këtë 3-pikësh lë vendin e fundit dhe parakalon Kamzën, duke shkuar në vendin e 9 me 16 pikë. Nga ana tjetër, Skënderbeu zhytet në një krizë totale, me plot 6 humbje radhazi dhe mbetet në kuotën e 30 pikëve, në vendin e 5-të.