Prej ditësh vazhdon të përflitet sjellja aspak e pranueshme e policisë maqedonase ndaj skuadrës shqiptare të Skënderbeut, e cila udhëtonte nga Zagrebi në Shkup, e më pas me autobus për në kufirin shqiptar.
Top Channel ka mundur të sigurojë pamjet ekskluzive të përndjekjes së policisë maqedonase, e cila ka shoqëruar autobusin e skuadrës korçare.
Në një moment, stafi dhe skuadra kanë vendosur të ndalojnë për ujë, apo për nevoja personale në një karburant, pa pyetur askënd, pasi kishin udhëtuar shumë orë pa lëvizur nga autobusi. Por makina e policisë i është kthyer menjëherë duke tentuar të bllokojë derën, për të mos dalë askush nga autobusi.
Një situatë e papranueshme, për të cilën as Ambasada shqiptare në Shkup nuk ka asnjë informacion. Të kontaktuar nga Top Channel, ata thonë se nuk janë sinjalizuar për asnjë situatë të veçantë që solli në këtë përcjellje të pakuptimtë të skuadrës shqiptare nga territori maqedonas.