Kërkesa e ish-deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica për t’u rikthyer në Kuvend si deputet është rrëzuar sot nga Gjykata Administrative.
Rehovica kishte kërkuar shfuqizim të vendimit të KQZ-së, duke lejuar kështu automatikisht rikthimin e mandatit të deputetit në qarkun e Beratit që iu hoq rreth një vit e gjysmë më parë.
Gledion Rehovica ishte në listën e ligjvënësve që u prekën të parët nga ligji i dekriminalizimit.
Asokohe hetimet e Prokurorisë dolën në përfundimin se Rehovica kishte fshehur nga formulari i vetëdeklarimit një vepër penale të kryer në Itali.
Ai akuzohej nga Prokuroria se ishte arrestuar në vitin 1999 në shtetin fqinj për “vjedhje të një dyqani”.
Rehovica mohoi akuzat e Prokurorisë në atë kohë duke thënë se ka qenë student në Romë gjatë kohës për të cilat flet organi i akuzës.