Opozita Skizma tjetër e PD, Bardhi: U shkel statuti, 17 deputetë do bojkotojnë...

Skizma tjetër e PD, Bardhi: U shkel statuti, 17 deputetë do bojkotojnë Këshillin Kombëtar

Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar se kryesia e PD po shkel statutin duke cenuar legjitimitetin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Ai u shpreh se nisur nga kjo që po ndodh në kryesinë e PD, 17 anëtarë të grupit parlamentar të PD refuzojnë të marrin pjesë në mbledhjen e nesërme të këshillit kombëtar.

Bardhi deklaroi se nxitimi për të zgjedhur kryetarin e ri nuk është shpëtim për PD-në.

“Vendimet e kryesisë së PD tregojnë nxitim, pasiguri dhe shkelje të statutit që nuk e zgjidhin situatën e PD. Si sekretar i përgjithshëm kam detyrimin t’i nënshtrohem shumicës në kryesi dhe tregova vullnet të plotë në zbatimin e vendimeve. Por kemi detyrë të denoncojmë çdo shkelje të statutit. Këmbëngulja për të zbatuar rregulla s’i shërbejnë askujt, as atyre demokratëve që mendojnë se nxitimi për të zgjedhur një kryetar do shpëtonte PD.

Si sekretar i kam ngritur këto çështje prej ditësh. Pas kërkesës sime të vazhdueshme dhe refuzimit të enjten u deklarua mbledhja e këshillit kombëtar në datë 20, që e mirëpritëm. Pasi u njoha dje me vendimin jam këtu të them se vendimi bie ndesh me statutin e PD; vendim i kryesisë ia heq kompetencat sekretarit të përgjithshëm duke ia kaluar zyrtarëve që s’kanë asnjë përgjegjësi për këshillin kombëtar.

Nisur nga kjo, 17 anëtarë të grupit të PD vendosën mospjesëmarrjen në mbledhjen e këshillit të PD nesër”, tha Bardhi.