Kryesore “Skllavëria” moderne, në 46 ditë kapen mbi 1200 punonjës pa sigurime

“Skllavëria” moderne, në 46 ditë kapen mbi 1200 punonjës pa sigurime

Puna në të zezë, ku bizneset nuk deklarojnë të punësuarit, duke iu shmangur detyrimeve të pagesave për sigurime shëndetësore dhe shoqërore, apo taksave mbi pagën, vijon të mbetet një fenomen shqetësues në vend.

Fushata anti-informalitet e ndërmarrë së fundmi, ka nxjerrë në pah këtë problematikë, ku sipas të dhënave zyrtare te publikuara nga Scan.tv vetëm për 46 ditë janë kapur të pa siguruar 1245 punonjës. Një shifër rekord kjo, që thuajse i afrohet asaj të një viti të plotë, pasi në total në 2018-ën u evidentuan në të zezë 1580 punonjës.

Tashmë të punësuarit pa të drejta janë referuar në organet tatimore dhe janë futur në skemën e detyrueshme të sigurimeve, nga ku dhe marrin përfitimet e përcaktuara me ligj.

Sipas të dhënave, rajoni qendror ka rezultuar më problematiku në këtë drejtim, me 580 punonjës informal ku peshën kryesor e zë Durrësi dhe Elbasani.

Ndërsa rajoni jugor dhe ai verior janë në shifra të përafërta informaliteti në këtë drejtim, ndërsa Vlora, Gjirokastra dhe Shkodra rezultojnë me problematikë më të theksuar.