Para se Alexei Navalny të shndërrohej në kundërshtarin më të ashpër politik të Vladimir Putinit, ky post i takonte një tjetër figure. Ai ishte Boris Nemtsov i vrarë në shkurt të 2015-s pak metra larg Kremlinit.
Një investigim i Bellingcat, BBC dhe Insider zbulon shtatë vite më vonë, se para ekzekutimit, Boris Nemtsov po ndiqej këmba këmbës nga një shtetas rus punonjës i shërbimeve të inteligjencës dhe që dyshohet se ishte pjesë e asaj që quhet ‘ekipi ekzekutues’ brenda këtyre shërbimeve.
Nemtsov ishte një kundërshtar i ashpër i Presidentit Vladimir Putin. Vrasja e tij në vitin 2015 është vrasja politike e profilit më të lartë që nga ardhja e Putinit në pushtet. Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje.
Boris Nemtsov u bë i njohur në vitet 1990, shërbeu si zëvendëskryeministër nën Presidentin Boris Yeltsin dhe perceptohej gjerësisht si pasardhësi i Jelcinit.
Në vend të kësaj, Putin erdhi në pushtet dhe Nemtsov u shty në periferitë politikës ruse. Ai u bë një aktivist efektiv, duke ekspozuar korrupsionin dhe duke denoncuar sulmet e Rusisë në vitin 2014 në Ukrainën Lindore.
Më 27 shkurt 2015, Nemtsov u qëllua për vdekje pak metra larg Kremlinit dhe vetëm disa ditë para se të drejtonte një protestë të thirrur kundër luftës. Pesë persona me origjinë çeçene u arrestuan shpejt dhe më vonë u burgosën për vrasjen e tij. Por hetimi zyrtar la pa përgjigje pyetjet më urgjente: kush e urdhëroi vrasjen dhe pse?
Shtatë vjet më vonë, BBC – duke bashkëpunuar me uebsajtet investigative Bellingcat dhe The Insider zbulon prova se në muajt para vrasjes, Nemtsov po ndiqej në të gjithë Rusinë nga një agjent sekret i lidhur me një skuadër të fshehtë të vrasjeve politike.
Duke përdorur të dhënat e zbuluara të rezervimit të trenave dhe fluturimeve, hetimi tregon se Nemtsov është ndjekur në të paktën 13 udhëtime. Herën e fundit që agjenti e ndoqi Nemtsov ishte më 17 shkurt 2015, vetëm 10 ditë para atentatit.
Sipas dokumentacionit të zbuluar nga BBC, emri i agjentit është Valery Sukharev. Të gjitha provat sugjerojnë se në atë kohë, ai shërbente në FSB, agjencia kryesore e sigurisë ruse. Një nga mandatet e FSB-së është të menaxhojë kërcënimet e brendshme politike në emër të Kremlinit, duke përfshirë monitorimin e lëvizjeve të njerëzve në të gjithë vendin.
Të gjitha rezervimet e fluturimeve dhe trenave regjistrohen në një bazë të dhënash të FSB-së të quajtur Magistral. Por, baza e të dhënave jo vetëm që kap lëvizjet e njerëzve që agjentët rusë mund të duan të gjurmojnë, por mund të përdoret gjithashtu për të zbuluar lëvizjet e vetë agjentëve, njerëzve si Sukharev.
Ky lloj informacioni rrjedh shpesh në tregun e zi dhe përfundon në duart e gazetarëve. “Në një shoqëri të korruptuar si Rusia, (Magistral) është një thikë me dy teha dhe kjo i lejon njerëzit si ne të zbulojnë të vërtetën dhe të ndjekin të njëjtët spiunë, po këta oficerë të FSB”, thotë Christo Grozev, drejtor ekzekutiv i Bellingcat.
Disa nga të dhënat origjinale për këtë hetim u blenë nga Bellingcat përmes ndërmjetësve brenda Rusisë. Ata ndërmjetës i morën të dhënat nga zyrtarë të korruptuar që kanë akses në Magistral. BBC ka përdorur gjithashtu të dhëna që thotë se i ka siguruar pa pagesë, nga burime që kanë akses në kopjet e Magistral.
Bellingcat ka përdorur më parë të dhëna nga Magistral për të hetuar tentativat për vrasje në Rusi. Hetimet e tyre zbuluan prova të ekzistencës së një skuadre të fshehtë goditëse brenda FSB-së, e cila ka shënjestruar kundërshtarët e Kremlinit. Qeveria ruse gjithmonë i ka mohuar këto akuza.
Për këtë hetim janë përdorur rezervimet e trenit dhe fluturimeve të bëra nga agjenti Sukharev dhe u krahasuan me lëvizjet e njohura të Boris Nemtsov.
Rezultati? Sukharev e ka gjurmuar Nemtsov për muaj me radhë.
Shumica e udhëtimeve të Nemtsov ishin nga Moska, ku ai jetonte në Yaroslavl, 272 km në veri-lindje të kryeqytetit ku ai ishte anëtar i parlamentit rajonal. Duket se Sukharev i dinte planet e Nemtsov paraprakisht, sepse ai shpesh arrinte në të njëjtin qytet vetëm disa minuta, ose orë përpara Nemtsov.
Një udhëtim në veçanti zbulon se sa nga afër po ndiqej Nemtsov. Në verën e vitit 2014 ai udhëtoi për në Siberi. Nemtsov rezervoi fluturimin e tij në internet më 2 korrik pak pas mesnate. Saktësisht 10 minuta më vonë, Sukharev bleu një biletë për në të njëjtin destinacion, Novosibirsk, duke mbërritur në të njëjtën ditë me Nemtsov.
Një agjent i FSB-së mund të përdorë Magistral për të gjurmuar një objektiv me këtë shkallë saktësie.
“Nëse jeni një oficer i FSB-së, thjesht do të mund të hyni në atë bazë të dhënash dhe të shihni, për një person të caktuar, të gjitha biletat që ata po blejnë, i kanë blerë, ose po blejnë pikërisht në këtë moment”, thotë BBC.
Nuk është e pazakontë në Rusi që agjencitë e sigurisë të mbajnë nën kontroll liderët e shquar të opozitës.
Por, Sukharev nuk ishte thjesht një rekrut i nivelit të ulët të FSB-së në biznesin rutinë. Bellingcat, në një hetim të mëparshëm, e lidhi atë me dy tentativa të dukshme për vrasje, që të dyja synonin kritikët e shquar të Putinit.
Objektivi i parë ishte miku dhe mbrojtësi i Nemtsov, Vladimir Kara-Murza, një politikan opozitar i cili, në javët pas ekzekutimit akuzonte Kremlinin për këtë.
Dy nga pesë çeçenët që u arrestuan dhe dënuan me burg për vrasjen e Boris Nemtsov
Në maj 2015, Sukharev ishte pjesë e një ekipi që shkoi në qytetin rus të Kazanit në të njëjtën kohë me Kara-Murza. Dy ditë pasi Kara-Murza u kthye në Moskë ai humbi ndjenjat, ra në koma dhe pësoi dështim të shumëfishtë të organeve, por u shërua.
Ai u helmua për herë të dytë në vitin 2017 dhe mbijetoi sërish. Qeveria ruse hedh poshtë pretendimin se operativët e tyre ishin të përfshirë në të dyja rastet e helmimeve. Objektivi i dytë ishte Alexei Navalny, lideri tashmë i burgosur i opozitës, videot e të cilit kundër korrupsionit kanë arritur tek miliona rusë.
Në vitin 2020, Navalny u helmua duke përdorur Novichok, një agjent nervor i zhvilluar në Bashkimin Sovjetik dhe i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar. Bellingcat zbuloi se një ekip i FSB-së gjurmoi Navalny në qytetin lindor të Tomsk, menjëherë përpara helmimit.
Hetimi zbuloi se Sukharev nuk ishte pjesë e ekipit tokësor që ndoqi fizikisht Navalnyn, por regjistrat e telefonatave zbulojnë se, në muajt menjëherë përpara helmimit, Sukharev shkëmbeu 145 telefonata ose mesazhe me të paktën katër anëtarë të atij ekipi, si dhe me një oficer të FSB-së në zinxhirin komandues.
Katër nga këta njerëz ishin në listën e shtatë agjentëve të FSB-së të sanksionuar më vonë nga qeveritë e SHBA dhe Britanisë së Madhe për përfshirjen e tyre në tentativën për vrasje. Qeveria ruse gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje në helmimin e Navalnyt.
BBC i kërkoi qeverisë ruse dhe FSB-së që të komentojnë provat se Nemtsov ishte në ndjekje nga një agjent i lidhur me një skuadër vrasjesh. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “E gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me qeverinë ruse. Duket si një trillim tjetër”. FSB nuk u përgjigj.