Sport Skuadra kundër Paul Pogba-s, gaboi penalltinë

Skuadra kundër Paul Pogba-s, gaboi penalltinë

Paul Pogba nuk do ta harrojë lehtë momentin e humbjes së 11 metërshit në ndeshjen e së hënës mes Manchester United dhe Wolverhamptonit e përfunduar me barazimin 1-1.
Për shkak të kësaj penalltie të humbur ai u bë shënjestër e fyerjeve raciste madje mori edhe kërcënime me vdekje.

Ajo ndaj Wolverhamptonit ishte penalltia e katërt e humbur nga Pogba nga 11 të tilla të ekzekutuar gjithsej duke u bërë goditësi i gjashtë më i dobët i penalltive në historinë e Premier League-s duke u bazuar pikërisht te të dhënat për lojtarët që kanë ekzekutuar të paktën 10 gjuajtje nga pika e bardhë.

Sipas “Daily Mail”, pikërisht për këtë arsye, yjet e Djajve të Kuq duan që francezi të heqë dorë përfundimisht nga marrja e përgjegjësisë për ekzekutimin e 11 metërshave dhe t’i delegohet kjo detyrë të riut Marcus Rashford-it me këtë të fundit që ka statistika më të mira në këtë aspekt dhe pritet të jetë lideri i skuadrës në dekadën e ardhshme.

Ndërsa, trajneri Ole Gunnar Solskjaer preferon që të mos ndërmarrë një masë të tille dhe këmbëngul në idenë që Pogba të ndajë përgjegjësinë e ekzekutimit të 11 metërshave me Rashford kur ata janë në fushën e lojës.

“Jam i sigurt se do të rishihni Pogbanë të jetë i saktë në gjuajtjet e 11 metërshave”, tha Solskjaer, “të shohim se kur do të akordohet penalltia e radhës. Marcus dhe Pol do të vazhdojnë të ndajnë përgjegjësinë e tyre në këtë pikë”.