Nga Franca tek Islanda, kuqezinjtë e kanë parë veten në “ferr” dhe “parajsë” brenda tri ditëve. E megjithatë, ëndrra vazhdon, kualifikimi për në “Euro 2020” mbetet i hapur matematikisht. Ish-sulmuesi i shquar i Shqipërisë, Sokol Kushta, e ka analizuar kështu atë që ndodhi mbrëmë, përmes një statusi në Facebook:
“Urime për fitoren e bukur kombëtares! Fituesit nuk gjykohen, por analizohen. Është nga herët e pakta që kombëtarja jonë reagon pozitivisht pas një humbjeje shkatërruese, si ajo me Francën. Jo në drejtimin sportiv, por psikologjik dhe fizik. Këtu duket dora e një prej trajnerëve më të mirë në Europë. Ai arriti të vendosë balancën në psikologjinë e ekipit, rinovoi formacionin për 4 ditë.
Dhe kjo u duk në reagimin pozitiv të ekipit, kur pësoi golin e dytë. Gjithmonë, kombëtarja jonë bie nga ana psikologjike dhe fizike, por kjo nuk ndodhi këtë herë. E kundërta ndodhi, shënoi dy herë dhe u rrit fizikisht me ndërrimet që bëri trajneri. Po të vëmë re dhe parametrat fizikë, mbajtja e topit dhe taktika e trajnerit ishin dukshëm superiore karshi një kundërshtari të fortë. Krahas shumë lojtarëve të rinj dhe premtues, doja të uroja Baren për të dyja ndeshjet e shkëlqyera të tij.
Ishte një përgjigje e fortë për shumë skeptikë, që nuk nguruan të hidhnin baltë mbi të. Minimumi duhet të heshtnin dhe të kërkojnë falje për të. E them për Baren, por duhet të jetë mësim për çdo lojtar të ri, që vjen te kombëtarja. Ata duhen përkrahur dhe ndihmuar në momentet e para. Suksese me Turqinë”.