Mançester Junajtid vazhdon të tregojë se është një ekip i rilindur pas largimit të Murinjos nga posti i trajnerit, me Solskjaerin tashmë në stol. “Djajtë e kuq”, fituan ndeshjen e pestë radhazi në Premier League, këtë herë 0-1 në transfertë ndaj Totenhemit.
Ndeshja ishte e hapur dhe me shumë raste, por u vendos nga një gol i Rashford në minutën e 44-t të pjesës së parë. Pas një gabimi në pasim të Tripier, topi shkoi tek Pogba, i cili me një asistim të përkryer, shërbeu për Rashford, dhe ky i fundit ndëshkoi portierin Loris me një të djathtë precize.
Me këtë fitore, Mançester Junajtid shkon në kuotën e 41 pikëve, në vendin e gjashtë, dhe afrohet shumë me Arsenalin e vendit të pestë, që të siguron Europa Leaguen, por edhe me pjesën më sipër në tabelë. Nga ana tjetër, Totenhemi mbetet në kuotën e 48 pikëve, në vendin e tretë.