Opinioni në Kosovë është i ndarë në lidhje me opsionin e bashkimit me Shqipërinë.
Në rast të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë dhe njohjes de jure dhe de facto nga kjo e fundit, shqiptarët e Kosovës e mbështesin idenë e bashkimit me Shqipërinë në masën 43%.
Ky është një prej rezultateve të një sondazhi të kryer nga Instituti Kërkimor për Zhvillimin dhe Çështjet Europiane (Research Institute of Development and European Affairs).
Në funksion të sondazhit “Zëri i popullit rreth finales së madhe” janë pyetur 1110 qytetarë të Kosovës (90% shqiptarë, 9% serbë dhe 1% nga grupet e tjera etnike).
Në bazë të gjetjeve të sondazhit, opinioni është i ndarë sa i përket bashkimit me Shqipërinë: në përgjithësi, 43% përkrahin idenë se Kosova duhet të kërkojë bashkimin me Shqipërinë në rast të njohjes de facto dhe de jure nga Serbia dhe 50% e refuzon këtë ide.
Megjithatë, 49% në mesin e shqiptarëve dhe 76% e serbëve nuk pajtohen me opsionin që Kosova duhet të kërkojë bashkimin me Shqipërinë në rast të njohjes de facto dhe de jure nga Serbia.
Panorama ndryshon kur ata pyeten në lidhje me vazhdimin e dialogut mes dy vendeve. Si shqiptarët, edhe serbët pajtohen që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijojë. 62% e të gjithë të anketuarve nuk pajtohen me ndërprerjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dhe nëse e sheh sipas kombësisë, serbët e mbështesin dialogun në një përqindje më të vogël. 63% në mesin e shqiptarëve dhe 54% në mesin e serbëve ‘nuk pajtohen’ ose ‘disi nuk pajtohen’ me ndërprerjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, ka një ndarje të thellë mes shqiptarëve dhe serbëve kur ata pyeten për çështje të nxehta që lidhen me fazën përfundimtare të dialogut.
Sipas sondazhit:
Liqeni i Ujmanit duhet të mbetet brenda territorit të Kosovës – pro janë 96% e shqiptarëve dhe 5% e serbëve të pyetur
Trepça duhet të mbetet pjesë e Kosovës – pro janë 99% e shqiptarëve dhe 9% e serbëve të pyetur
Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës – pro janë 69% e shqiptarëve dhe 0% e serbëve të pyetur
Lugina e Preshevës duhet të mbetet pjesë e Serbisë – pro janë 13% e shqiptarëve dhe 84% e serbëve të pyetur
Veriu i Kosovës (Zveçani, pjesë të Zubin Potokut dhe Leposaviçit) nuk duhet t’i bashkohen Serbisë – pro janë 91% e shqiptarëve dhe 10% e serbëve të pyetur.