Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësi ka publikuar sondazhin e opinionin publik për besimin në qeverisje për vitin 2020 në Shqipëri.
Në raportin e këtij sondazhi theksohet se krahasuar me vitin 2019, ka rënë besimi te policia, institucionet e kujdesit shëndetësor, media, qeveria qendrore dhe forcat e armatosura, ndërkohë që është rritur besimi tek institucionet fetare.
Sipas sondazhit, institucioni më i besueshëm në vend për këtë vit është Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Organizatat ndërkombëtare, si NATO, OKB dhe BE, renditen si institucionet më të besuara. Ndërkohë, institucionet fetare (69.8%) janë institucionet më të besuara në vend për shqiptarët, pasuar nga institucionet arsimore (54.1%), forcat e armatosura (54%) dhe organizatat e shoqërisë civile (52.6%).
Partitë politike (20.4%), gjykatat (23.8%), presidenti (23.9%), parlamenti (24.1%) dhe prokuroria (24.3%) janë ndër institucionet me renditjen më të ulët për nivelin e besimit.
Sa i përket reformës në drejtësi, 28.7% e popullsisë në Shqipëri e anketuar në këtë sondazh beson se zbatohet me korrektësi dhe 52.8% e të anketuarve besojnë se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit.
Sa i përket transparencës dhe llogaridhënies, shqiptarët e anketuar priren të besojnë se mekanizmi më efikas në vend është Kontrolli i Lartë i Shtetit (60.7%), i ndjekur nga media (52.8%), Parlamenti (48.1%), shoqëria civile (44.8) dhe Avokati i Popullit (44.3%). Në përgjithësi, shqiptarët besojnë se organizatat ndërkombëtare i kërkojnë llogari qeverisë shumë më tepër se institucionet vendase të renditura më sipër.
Krahasuar me vitin e kaluar, përqindja e shqiptarëve që nuk kanë besim në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të ulët është rritur: nga 61.1% në 2019 në 64.5% në 2020. Ndërkohë, është rritur përqindja e shqiptarëve që raportojnë se kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim nga qeveria qendrore, nga 19% në 2019 në 32% vitin 2020.
Sa i përket institucioneve të ndikuara politikisht, prokuroria (58%) dhe gjykatat (56%) konsiderohen si institucionet më shumë të ndikuara.