Politika PD në mbrojtje të Metës, e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit për...

PD në mbrojtje të Metës, e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit

Partia Demokratike e ka cilësuar antikushtetues vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta dhe kërkon nga Gjykata Kushtetuese të refuzoi “farsën”. Për PD, ky zhvillim është një sulm antikushtetuese dhe i paligjshëm i Parlamentit ndaj institucionit të Presidentit.

“Sulmi antikushtetues i Parlamentit ilegjitim mbi Institucionin e Presidentit të Republikës është akt që thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi. Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë”, thuhet në deklaratë.

PD e konsideron Parlamentin si “një partiak” dhe nuk mund të jetë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrë vendime në emër të saj.

Parlamenti ka miratuar me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime shkarkimin e presidentit Ilir Meta pas një seancë që zgjati më shumë se katër orë. Një vendim i tillë ndodh për herë të parë në 30 vjet pluralizëm.

Sipas Komisionit Hetimor, Presidentit Meta ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në raportin përfundimtar prej 96 faqesh, thuhet se “Presidenti shkeli 17 nene të Kushtetutës” dhe se “këto shkelje konsiderohen nga komisioni si shkelje të rënda”.

Që vendimi i Parlamentit të ketë efekt duhet të miratohet nga Gjykata Kushtetuese.