Politika Sondazhi/ Shqipëria në përqindje dërrmuese pro anëtarësimit në BE, Serbia jo aq...

Sondazhi/ Shqipëria në përqindje dërrmuese pro anëtarësimit në BE, Serbia jo aq shumë

93 për qind e shtetasve shqiptarë janë në favor të pranimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian, ndërsa vetëm 42 për qind e njerëzve në Serbi duan që ajo të bëhet një vend anëtar i BE, sipas një sondazhi.

Anëtarësimi në BE gëzon gjithashtu mbështetjen e 58% të shtetasve të Maqedonisë, por ka mbështetjen e vetëm 45% të popullatës në Malin e Zi, sipas rezultateve nga anketa e fundit e Eurobarometrit.

Ndërsa 42% e popullatës në Serbi, duan të bëhen pjesë e Bashkimit Europain, 22 për qind e tyre e konsiderojnë antarësimin e mundshëm si një vendim të keq.

Të pyetur nëse anëtarësimi në BE në përgjithësi do të përfitonte nga vendet e tyre, 56% e serbëve thanë “po”, ndërsa 29% u përgjigjën negativisht.

Përgjigjet pozitive ishin më të larta nga kandidatët e tjerë të Ballkanit Perëndimor: 95% e shqiptarëve, 71% e maqedonasve dhe 61% e malazezëve.

Vetë vendet anëtare të BE duken disi të ndara në aspektin e mbështetjes publike për zgjerimin e mëtejshëm të BE.

Mbështetja më e madhe për zgjerimin shihet në vendet e reja anëtare të BE nga Europa Qendrore dhe Lindore me 66% në favor në Poloni dhe Lituani, 65% në Rumani, 62% në Hungari dhe 61% në Kroaci. Spanja është përjashtim i dukshëm nga Europa Perëndimore me 71% të shtetasve të saj që mbështesin zgjerimin.

Në të njëjtën kohë, janë edhe shtetet e tjera “të vjetra” të BE-së kundër zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit, me 64% kundër në Finlandë dhe 62% në Francë.