Në raportin e GRECO (Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit) për korrupsionin, ambasadorët e huaj kërkuan që Shqipëria të bëjë më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit.
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, kërkoi që Shqipëria të dënojë zyrtarë të lartë me vendime të formës së prerë.
“Në luftën kundër korrupsionit në raportin vjetor është shprehur se Shqipëria ka një nivel përgatitje për të qenë pjesë e BE, me pak fjalë Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë. Ne kemi parë një sërë dënimesh për zyrtarët të nivelit të ulët dhe të mesëm. Procesi i Vettingut është kyç në luftën kundër korrupsionit. Situata e korrupsionit vazhdon të jetë i shtrirë gjithandej dhe është shqetësim për BE. Kjo luftë kërkon vendime të formës së prerë për zyrtarë të lartë, pasi këtu kanë qenë shumë të ulët. Duhen këto dënime pasi qytetarët kanë nevojë të besojnë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin”, tha Soreca.
Edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, tha se në Shqipëri ka probleme të shumta korrupsioni.
“Korrupsioni është një mal problemesh në Shqipëri, por po bëjmë hapa. Kjo është larg ndonjë deklarate fitoreje. Është një shenjë pozitive që Shqipëria diskuton një temë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e vendit. Është në interesin e SHBA që të kemi një aleat që është në gjendje të bëjë pjesën e saj. Jemi përkushtuar që Shqipëria të zërë vendin e saj në shtetet demokratike. Ka pengesa si zyrtarë të korruptuar, poste zyrtare të përdorura për të promovuar palë politike. Qeveritë mund të kufizojnë mundësitë për korrupsion. Shqipëria duhet të fillojë vlerësime të rregullta të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të siguruar një ministri të drejtë”.