Kryesore “Sot jam çliruar nga një makth i vërtetë”, Rama flet për tunelin...

“Sot jam çliruar nga një makth i vërtetë”, Rama flet për tunelin e Murrizit dhe tregon çmimin e palltos së tij ‘jashtë serie’

Në rubrikën e tij “Sy m’Sy” Kryeministri Edi Rama ka dhënë disa detaje me punën e vështirë që janë hasur në tunelin e Murrizit.

Rama tha se në tunel kishte shpërthyer uji gjë që bëri shtyrjen e afatit të përfundimit.

“Sot jam çliruar nga një makth i vërtetë. Tuneli i Murrizit, një kurth i paparë i natyrës ku thashë ramë edhe nuk kemi për të dalë më. Kur po ecte mirë e bukur plasën ujërat dhe na morën peng duke na i shtyrë afatet e përfundimit në pa afat. Nejse sot mbaroi “Odisea” e pafundme që u bë tamam si një betejë për të marrë një kala që nuk dorëzohej. Stafi që merret edhe me këtë kronikë, më informoi që mezi ka gjetur disa komente negative. Faleminderit të gjithë atyre që nuk i kanë kursyer komentet pozitive”, tha Rama

Rama tha se në çdo vepër infrastrukturore që është ndërtuar është me standarde europiane pasi qëllimi i tij është në anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

“Jo vetëm ai tunel, por çdo vepër infrastrukturore që ne ndërtojmë, rrugë, shkollë, spital është vetëm me standarde europiane sepse ne e kemi ndarë mendjen i dashur Bledi sepse ne do ta bëjmë këtë vend anëtarë të BE deri në 2030 dhe kjo do të thotë që jo vetëm çdo shqiptari do t’i japë një pasaportë europiane, por edhe Shqipërinë do ta pasaportizojmë në Europë me standarde europiane”, tha Rama.

Sakaq përpos komenteve pozitive për tunelin e Murrizit Rama pati në Facebook edhe komente negative.

“Vidhi vidhni se edhe pak ditë që ju kanë mbetur”, shkroi një komentues në Facebook.

Në reagimin e tij Rama theksoi edhe njëherë se ky projekt i ka kushtuar shumë pak shtetit tonë pasi është bërë me PPP.

“Kjo vepër është bërë me PPP (Partneriteti Publik Privat) dhe i ka kushtuar këtij shteti shumë pak se ç’do t’i kushtonte kur privati të mos jetë i detyruar nga kontrata që i kemi bërë që t’i bënte me shpenzimet e veta të gjitha punimet masive të paparashikuara që ndodhen kur plasi uji në Tunelin e Murrizit. Kjo vidhni, vidhni e juaj është si e disave që në komentet për hekurudhën Tiranë-Durrës shkruan “pse është me një korsi, apo e keni vjedhur tjetrën”, tha Rama.

Një ndër komentet për Ramën kishte lidhje me veshjen që kryeministri kishte sot gjatë inaugurimit të tunelit.

Ndjekësi e pyeti se sa kushton pallto. “Pash Zotin sa për kureshtje sa bën ajo palltoja zoti Rama se unë po e kërkoja e nuk po e gjeja!?”, shkruan ndjekësi.

Rama tha se pallton e ka blerë 20 vite më parë në Gjermani, teksa i kërkoi komentuesit që mos merret me muhabete rrobash.

Sigurisht Rama nuk la pa ironizuar në replikën e tij edhe opozitën.

“S’ke ça bën, se s’ka ça bën njeriu ku i ha rrenat si manaferra se i shijojnë prej qejfit. Ty të kanë gjetur të uritur bretkosat e kënetës dhe të kanë dhënë një manaferrë. Ti tani thua që s’po gjen dot pallton si e imja se do të thuash medemek që është jashtë serie. E kam blerë në Gjermani para 20 e ca vjetëve prandaj mos e kërko kot se i ka kaluar afati i amortizimit. Nuk i shkon burrit të merret me rrobat e burrit”, tha Rama.