Partia Demokratike proteston sot kundër qeverisë Rama në një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që nis në orën 12:00.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e akuzon kryeministrin Edi Rama për çështjen “McGonigal”.
Në protestë kanë deklaruar se do të jenë të pranishëm e gjithë opozita, ndërsa një ditë më parë Berisha tha se nuk janë të ftuar vetëm Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
Për protestën, Policia e Tiranës ka marrë masat për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë, duke filluar me bllokimin e disa rrugëve.
Duke filluar nga ora 06:00 nuk lejohet parkimi i automjeteve, në Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu, në këto rrugë do të bllokohet qarkullimi i automjeteve nga ora 10:00 deri në përfundim të tubimit.
Ndërkohë në protestën e sotme mësohet se do të bashkohen edhe mbështetës të Partisë Demokratike nga rrethet si Berati, Fieri, Korça, Saranda, Elbasani, Durrësi dhe Kruja.