Një operacion i përbashkët i autoriteteve shqiptare dhe italiane kanë goditur një grup kriminal të Call-Centeri që mashtronte qytetarët përmes bursave online.
Aktiviteti zhvillohej në Tiranë, ndërsa qytetarët e mashtruar janë shtetas italianë të cilët jetojnë në Itali.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Tirana, prokurori i SPAK Ened Nakuçi bëri me dije se janë arrestuar 3 persona si dhe janë shpallur në kërkim 5 të tjerë.
Sipas tij, dëmi ekonomik është në vlerën 3 milionë Euro, por kjo shifër mendohet se është vetëm “maja e ajsbergut”.
Hetimet për këtë grup filluan pas denoncimit të bërë në Itali, ku më pas u zbulua një skemë komplekse mashtrimi.
Prokurori i SPAK bëri me dije se qytetarët që do të mashtroheshin, kontaktoheshin me telefon dhe bindeshin që të investonin fillimisht në shuma të vogla në vlerën e 250 Euro për të blerë aksione në Amazon. Më pas, kërkesat për investime rriteshin më shumë.
Paratë që përfitonin nga italianët, grupi kriminal i investonte në kriptomonedha jashtë Shqipërisë, me qëllim për të mos u gjurmuar.
Në kuadër të këtij hetimi, në Itali është sekuestruar edhe serveri duke bërë të mundur fikjen totale të aktivitetit të këtij Call-Centeri.
Ndërsa prokurori italian, i pranishëm gjatë konferencës në SPAK, deklaroi se në Itali janë mashtruar 220 viktima zyrtarisht, por ata mendojnë se numri i qytetarëve që kanë rënë pre e kësaj skeme mund të arrijë deri në 1200.