Aktualitet SPAK izolon gazetarin Elton Qyno, i kërkon të zbulojë burimin e informacioneve...

SPAK izolon gazetarin Elton Qyno, i kërkon të zbulojë burimin e informacioneve që publikon

Gazetari Elton Qyno që mbulon sektorin e kronikës së zezë në televizion Ora Neës prej 10:00 të paradites së sotme ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, raporton portali Syri.

Ai mbahet brenda SPAK, me kërkesë të prokurorit Behar Dibra thonë burimet, lidhur me pretendimin për nxjerrje të akteve hetimore.

Ndaj tij është bërë presion duke i kërkuar emrin e personit që i ka vënë në dispozicion materialin, në shkelje të të drejtës së gazetarit përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale sa i përket ruajtjes së burimit të informacioni.

Veç reagimeve të gazetarëve, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha që ka reaguar ashpër për thirrjen e gazetarit Elton Qyno në SPAK.

Berisha thotë se SPAK po e mban peng Qynon dhe po ushtron ndaj tij terror dhe torturë psikologjike, duke i kërkuar “brutalisht” të tregojë burimet e informacioneve.

Dyshohet se Qyno është thirrur në SPAK lidhur me publikimin e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani në media.

“Stop terrorit nga Skapi i Partisë ndaj gazetarit të njohur Elton Qyno.

Të dashur miq, në një atentat të vërtetë ndaj lirisë së mediave dhe terrori të pashembullt dhe torture psikoligjike, skapist të papërgjegjshëm të narko-partisë mbajnë që nga ora 10:00 e mëngjesit të ngujuar në zyrat e Skapit gazetarin e mirënjohur të Ora Neës, Elton Qyno. Ata i kërkojnë atij brutalisht të tregojë burimet e informacioneve që i shesin vetë.

Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal, pengmarrje të gazetarit Qyno dhe kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm si dhe ndëshkimin e rreptë ligjor të autorëve të këtij akti që përbën një atentat të rëndë ndaj lirisë së mediave dhe rrëmbim shtetëror të gazetarit Elton Qyno.

Ju bëjë thirrje mediave të vendit dhe atyre ndërkombëtare si dhe organizatave që merren me lirinë e mediave të solidarizohen me gazetarin Qyno dhe të dënojnë me ashpërsi narko-regjimin e Tiranës dhe skapin si vegël e tij”, shkruan Berisha.