Një seancë pasi SPAK kërkoi dënimin e tij për “fshehje pasurie”, ish-kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja, këmbënguli edhe njëherë në pafajësinë e tij.
Për apartamentin në plazh, Dedja tha se ai është i vëllait të tij dhe se nuk ka asnjë lidhje me atë pasuri. Po sipas tij, shuma prej 10 mijë euro e marrë hua te kunati, janë para të siguruara prej të fundit në emigracion para vitit 2000.
Përmes avokates së tij, Dedja tha se procesi ndaj tij ka qenë i paragjykuar dhe se gjatë hetimit një nga aktekspertimet financiare ka qenë i papërdorshëm.
Në seancën e radhës, më 15 qershor, Dedja do të paraqesë konkluzionet e mbrojtjes. Më herët, SPAK kërkoi një vit burg për Dedjen, të konvertuar përfundimisht në 2 vjet shërbim prove.