Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjatur deri më 21 shkurt, afatin e dorëzimit të aplikimeve për ngritjen e Strukturës së Posaçme për hetimin e Antikorrupsionit, e njohur si SPAK, për shkak të numrit të pakët të aplikantëve deri më tani, siç bëjnë të ditur burimet.
Afati fillestar ishte deri më 7 shkurt, por sot e kësaj dite kanë aplikuar vetëm 14 prokurorë, për 15 vendet që duhen plotësuar në strukturën antikorrupsion të SPAK-ut.
Për këtë arsye, 10 anëtarë të KLP-së kanë votuar pro shtyrjes, ndërsa një kundër.
Në një mbledhje të 7 janarit, KLP-ja kishte vendosur të linte vetëm një muaj kohë për aplikimet e prokurorëve.
Edhe pse, siç thuhet, shumë prokurorë po stepen të garojnë për këtë strukturë të re, sepse familjarët e tyre nuk pranojnë të firmosin deklaratën ku jepet pëlqimi që ata të përgjohen, të vëzhgohen dhe t’u kontrollohet çdo lëvizje, ndërkombëtarët kanë bërë apel që prokurorët të marrin guximin e të aplikojnë.
Formulari i kontrollit është një nga kushtet e ligjit për SPAK-un, përmes të cilit i jepet “lamtumirë” privatësisë së çdo prokurori pjesëtar të kësaj strukture të re të Reformës në Drejtësi.