SPAK ka nisur hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Ervin Bushati për fshehje të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.
Hetimet nisën pas denoncimit që ka depozituar Partia Demokratike në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Përmes një deklarate për mediat, PD bën me dije se është informuar nga SPAK që ky organ ka nisur hetimet për deputetin Bushati. Ai është paditur për fshehje të pasurisë, mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.
“Në përgjigje të kësaj kërkese, SPAK ka njoftuar Partinë Demokratike se në datën 12.03.2020, ka regjistruar procedimin penal nr. 93/2020 për veprat penale fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve. Procedimi penal është në fazën e hetimit dhe po ndiqet prej 8 muajsh nga prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu. PD e ka depozituar kallëzimin që në Tetor 2018 dhe çështja u kalua nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK, pas krijimit të kësaj prokurorie. Bëhet fjalë për mosdeklarimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.
PD e akuzon deputetin socialist Ervin Bushati se nuk ka deklaruar këto pasuri të patundshme:
-Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
-Një pasuri me sipërfaqe 600 m2 truall, me sipërfaqe ndërtimi 327 m2, në Tiranë, e regjistruar më 21.04.2017.
-Një pasuri me sipërfaqe 938 m2 truall, në Tiranë, e regjistruar më 25.07.2014.
-Një pasuri me sipërfaqe 76 m2, ndërtesë, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
-Një pasuri me sipërfaqe 376 m2 truall, në Qerret, Kavajë, e regjistruar më 30.05.2016.
-Një pasuri me sipërfaqe 660 m2 truall, në Sarandë, e regjistruar më 17.07.2014.
-Një garazh me sipërfaqe 42 m2, në Sarandë.