Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit ka vendosur të dërgojë për gjykim dosjen në ngarkim të bashkëpunëtorëve italianë të biznesmenit Rezart Taçit.
Shtetasit italianë, Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Të akuzuarit në bashkëpunim me Rezart Taçin, Artur Ballën dhe Bledar Lilon kishin organizuar një skemë financiare të paligjshme për pastrimin e një shume të konsiderueshme parash, të një grupi mafioz, nga e cila do të përfitonin rreth 16% të saj.
Shuma monetare prej 18.3 milionë eurosh është konfiskuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në gjykimin ndaj të bashkëpandehurve në procedimin e lidhur.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.