Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka sekuestruar dosjen e tenderit për kthimin e landfillit të Porto Romanos në park.
Tenderi me vlerë 1.62 miliardë Lekë është zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës–Kanalizimeve. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve mes kompanisë shqiptare “Victoria Invest International” dhe kompanisë italiane “De Mare srl”.
Sekuestrimi ka të bëjë me faktin se në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike rezulton se tenderi është zhvilluar pa garë, por me procedurë prokurimi me negocim, pa shpallje paraprake.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka argumentuar se kjo mënyrë është përzgjedhur për shkak të nevojës ekstreme pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Hetimi i SPAK mësohet se ka objekt procedurën e ndjekur, për të zbuluar nëse ka pasur paracaktim të fituesit në tender.