Nuk ka kohë për të humbur për Luciano Spalletti, që duket se do të kthehet në mënyrë të menjëhershme në punë, pas shkarkimit nga Interi.
Tekniku toskan, i larguar nga klubi zikaltër pavarësisht kualifikimit për në Champions League, ka shumë admirues dhe sipas asaj që bën të ditur Tuttosport është emri i parë në listën e Roco Comisso, pronari i ri i Fiorentinës.
Sipërmarrësi italo-amerikan kërkon të nisë gjithçka nga zero në klub, duke përfshirë në organigramë Pier Paolo Marinin si drejtor sportiv dhe Umberto Gandini në rolin e administratorit të deleguar.
Pikërisht Gandini do të mund të jetë “ganxha” për të mbërritur tek Luciano Spalletti me të cilin gëzon një raport të mirë që nga kohët e Romës. Fillimisht drejtuesit e rinj do të duhet të zgjidhin kontratën e Vincenzo Montella, që praktikisht nuk do të jetë i konfirmuar nga pronarët e tij, pas finales zhgënjyese të sezonit të kaluar. E më pas do të presin që Spalletti të gjejë mënyrën për t’u liruar nga Inter me të cilin është i lidhur me një kontratë deri më 2021.