Spanja ka fituar lehtësisht 3-0 ndaj Shqipërisë në ndeshjen e zhvilluar në “José Rico Pérez” dhe është kualifikuar në kampionatin botëror “Rusi 2018”.
Të besuarit e Julen Lopetegui e nisën mirë ndeshjen dhe pas 16’ minutash e shohin veten në avantazh me anë të Rodrigo. Sulmuesi i talentuar e kontrollon me gjoks topin e dhënë nga Isco dhe më pas e dërgon në rrjetë edhe pse në pozicion tepër të vështirë.
3’ minuta më vonë është kapiteni Ramos që provoi por Berisha devijoi rrezikun. Megjithatë portieri nuk mund të ndalte në minutën e 24’ predhën e Isco që me një gjuajtje fantastike dyfishoi shifrat.
Një minutë më pas është Shqipëria që kërkoi të rihapte ndeshjen me anë të Llullakut që provon me kokë pas krosit nga e djathta, por gjuajtja e tij goditi traversën.
Shqipëria ishte më kërkuese, por Spanja u shfa shumë e rrezikshme kur zbriste në sulm, dhe shënoi sërish, këtë herë më anë të Alcantara, që shfrytëzoi krosin e Odriozola.
Në avantazh të trefishtë, vendasit kontrolluanë lojën me kuqezinjtë që u munduan të shfrytëzonin kundërsulmin. Në fund të pjesë së parë kuqezinjtë patën një rast të shkëlqyer me anë të Llullakut, por sulmuesi nuk arriti të godiste si duhet edhe pse në pozicion të favorshëm.
Me të filluar fraksioni i dytë Panucci bëri dy zëvendësime, largohoi Memollan dhe Balliun, në fushë hynë Agolli dhe Sadiku. Edhe në këtë pjesë ishin vendasit ata që dominuan, me kuqezinjtë që provuanë me kundërsulm.
Kuqezinjtë patën një mundësi të mirë me Sadikun në minutën e 69’, por elbasanasin e ndali shtylla. Në minutat e mbetura spanjollët kontrolluan lojën dhe në fund morën një fitore të merituar ndaj një Shqipërie kurajoze dhe kërkuese, edhe pse diferencat ishin të mëdha.