Spanja shkarkon trajnerin Luis Enrique. Një veprim që pritej pas eliminimit të bujshëm në fazën e 1/8-ve të Botërorit të Katarit nga Maroku. Trajneri i Spanjës U-21, Luis de La Fuente, është kandidati kryesor për ta zëvendësuar.
Ishte Federata Spanjolle e Futbollit ajo ka zyrtarizuar largimin e trajnerit Luis Enrique me një komunikatë. Kontrata e tij me Spanjën përfundonte në fund të dhjetorit dhe trajneri paguan largimin e parakohshëm nga Kupa e Botës.
Sipas shtypit spanjoll, në ‘pole position’ për t’u ulur në stolin e ‘Furive të kuqe’ është Luis De La Fuente, trajneri i kombëtares së 21-vjeçarëve të Spanjës që prej vitit 2018. “Federata spanjolle falënderon trajnerin dhe bashkëpunëtorët e tij për punën e bërë”, – shkruhet në komunikatë.
Spanja u eliminua me penallti nga Maroku, pasi 120 minuta lojë përfunduan në barazim, 0-0. Skuadra e Enriques gaboi totalisht, duke mos shënuar asnjë gol në tri penallti të gjuajtura dhe i dha lamtumirën Botërorit.