Historia e një gruaje që kërkon të hakmerret. Kjo është fabula ku orvatet romani më i ri i avokat Spartak Ngjelës i cili tashmë mund të gjendet në të gjitha libraritë. Kjo nuk është përvoja e parë e Spartak Ngjelës me shkrimin.
“Të gjithë e njohin pasionin e avokatit për letërsinë por ky pasion i ka rrënjët në një komunikim të hershëm që ai ka pasur me shkrimin. Jam njohur me disa dorëshkrime të shkruara gjatë kohës që burgut që sjellin profilin e një shkrimtari që shumë pak e njohim, dhe që vetë Ngjela kërkon ta tregojë shumë pak. Romani “Helena R” që ai shkroi pas viteve 90-të apo “Shpella e vdekjes” janë dy proza që duhet ti rikthehen vëmendjes së kritikës” , thotë Alda Bardhyli e cila është dhe redaktorja e librit më të ri.
Sipas saj i gjithë libri tregon historinë e një gruaje që quhet Sofie Rasku. “Sofie Rasku nuk është vetëm një grua e bukur por dhe një grua aspak e zakonshme. Përmes saj Ngjela evokon historinë e një periudhe të errët siç ishte komunizmi në Shqipëri duke e treguar këtë periudhë përmes raporteve delikate njerëzore.
Përmes letërsisë hidhet dritë për një nga krimet më të forta të bëra gjatë diktaturës siç është përdhunimi i femrave nga njerëz të pushtetit. Shumë pak flitet për histori që të gjithë i kemi dëgjuar tryezave, por që përmes historisë së Sofie Raskut, Ngjela denoncon një nga krimet më të shëmtuara”, thotë Bardhyli.
Sipas saj nuk është vetëm historia ajo që e bën këtë roman interesant por dhe mënyra e shkrimit laborimi i thellë i psikikës së personazheve. Po ndaj kujt duhet të hakmerret kjo grua Sofia? Ajo hakmerret ndaj përdhunuesit të saj. Pas vdekjes të së shoqit ajo mendon vetëm këtë gjë si të hakmerret. E për ta kryer vrasjen kërkon ndihmën e një burri që gjithnjë e kishte dashur nga larg. Libri ka disa linja që të tërheqin më mënyrën e rrëfimit por dhe që na njohin me personazhe që nuk janë të larg në kohë.
Nuk mungon as erosi pasi sipas Ngjelës dashuria dhe krimi ecin paralelisht. “Nuk ka letërsi të mirë pa një krim brenda dhe Hakmarrja e një gruaje vjen në tregun e botimeve si një libër që jo vetëm do të provokojë një debat që gjithnjë e kemi shmangur por edhe e bën prozën shqipe të rikthejë vëmëndjen ndaj historisë”, thotë ajo.