Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e deleguar nga kryeministri Rama, që është edhe Ministër i Jashtëm, për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës lidhur me interpelancën për çështjen e 11-vjeçarit shqiptar në Siri dhe të tjerëve, u shpreh se qeveria është duke bërë gjithçka është e mundur për të kthyer fillimisht gratë dhe fëmijët.
Spiropali tha se Qeveria i ka identifikuar gratë dhe fëmijët e shqiptarëve që kanë luftuar për ISIS në Irak dhe Siri dhe që mbahen në kampe atje. Por, shtoi ajo, është e vështirë të veprohet pasi atyre u rrezikohet jeta.
“Ata kanë udhëtuar atje me dokument shqiptare të cilat janë grisur nga ISIS. Më pas kanë marrë emra arabë dhe kjo e bën të vështirë që të veprojmë”, tha Spiropali në Parlament, në një interpelancë të thërritur nga deputetët e opozitës.
“Nuk mund të ekspozojmë identitetin e grave dhe fëmijëve në kampe, pasi i vë në rrezik serioz për jetën. Kur ka persona që duan të largohen, ata që drejtojnë kampet nuk i lejojnë. Atyre u rrezikohet jeta kur bëhen publike detajet”, shtoi ajo. “Mos bëni politikë me ta. Shqipëria është duke bërë gjithçka është e mundur për të kthyer fillimisht gratë dhe fëmijët. Hapat e ndërmarrë nuk mund të bëhen publike, pasi do të ishte e papërgjegjshme, pasi do të vinte në rrezik operacionin. Duke zbuluar identitetin e tyre i ekspozojmë përpara një rreziku vdekjeprurës. Për pasoja do u lutesha mos të kompromentojmë situatën dhe jetën e personave që po përpiqemi ti shpëtojmë. Ju garantojmë se institucionet e përfshirë po bëjnë detyrën me profesionalizëm pa zhurmë dhe bujë”, tha ajo.
Duke folur për rastin e Alvin Berishës, vogëlushit shqiptar i cili kërkohej nga babai dhe u bë protagonist i emisionit italian “Le Iene”, Spiropali tha se shteti shqiptar ishte në kontakte të vazhdueshme me familjarët e tij. “Janë 10 mijë shtetas të huaj nga 70 mijë që ka në kampin “Al Holt”, ku ndodhet Alvin Berisha”, tha ajo. “Ballkani është rajoni me numrin më të madh të personave në zonat e konfliktit. Po bëjmë çmos për të kthyer gratë dhe fëmijët shqiptarë nga zonat e konfliktit. Në total janë 150 shqiptarë nga të gjitha trevat, mes tyre edhe të arrestuar. Nuk kemi statistika për numrin e fëmijëve të lindur atje”.